
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se kanë nisur përgatitjet për modernizimin dhe transformimin e Spitalit Klinik të Tetovës, projekt që, sipas tij, kap vlerën e 74 milionë eurove.
Në një postim në rrjetet sociale, Mexhiti e cilësoi këtë si një nga investimet më të mëdha në sektorin e shëndetësisë.

Sipas tij, projekti parasheh infrastrukturë moderne, kushte më të mira për pacientët, ambiente më funksionale për mjekët dhe personelin shëndetësor, si dhe rritje të kapaciteteve për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve.
“Shëndetësia kërkon vizion, vendimmarrje dhe investime serioze. Pikërisht këtë përfaqëson ky projekt”, ka shkruar Mexhiti.
Ai shtoi se investimi prej 74 milionë eurosh është një lajm i rëndësishëm për Tetovën dhe gjithë rajonin e Pollogut, duke e cilësuar atë si një hap drejt një sistemi shëndetësor më modern, më efikas dhe më dinjitoz.



