
Policia e Kosovës ka shoqëruar për intervistim disa persona pas një aksioni të zhvilluar në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë dhe me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me AKI-në dhe urdhër të PSRK-së, ka realizuar një operacion policor, i cili përfshinë disa lokacione të ndryshme. Lidhur me rastin i cili po trajtohet nga DHKEK-ja, në bashkëpunim me akterët e tjerë, janë shoqëruar për intervistim disa persona. Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë”, thuhet në njoftim të Policisë të enjten në mbrëmje.
Por për dallim nga Policia, ministri në detyrë i Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se bëhet fjalë për arrestimin e disa zyrtarëve të lartë publikë e persona përgjegjës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion.
Sveçla ka thënë se autoritetet zhvilluan aksionin bazuar në të dhënat e siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe hetime disamujore nga Policia e Kosovës.
“Në këtë rast janë të përfshirë disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, përfshirë: kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës, J. M.; zyrtarë nga avokatura N. K., M. D. dhe B. D.; ekspertin e gjykatës Sh. T.; zyrtarin në Departamentin e Shpronësimeve; zyrtari i ATK G.L si dhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, F. I. Sipas dyshimeve, personat e lartpërmendur kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Sipas tij, grupi dyshohet se “përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ka iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës me qëllim të rikompensimit të paligjshëm për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011–2015, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike”.
“Koha kur zyrtarët publikë kanë keqpërdorur buxhetin e Republikës së Kosovës pa u ndëshkuar, ka përfunduar. Përgëzoj institucionet për këtë sukses të radhës në luftën pa kompromis kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit. Vullneti politik për t’i luftuar dukuritë negative, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ai qytetar po japin rezultate konkrete për ndërtimin e një shteti ligjor, të zhvilluar dhe të pacenueshëm nga çfarëdo forme e krimit në vendin tonë”, ka shkruar Sveçla më tej.



