
Kryeministri në detyrë thotë se deeskalimi në veri ishte meritë e institucioneve të Kosovës, ndërsa fajëson opozitën për bllokimin e fondeve evropiane.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një mbledhjeje të qeverisë në detyrë, ka deklaruar se e “mirëpret” vendimin për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato si të padrejta.
Kurti theksoi se institucionet e Kosovës nuk ishin përgjegjëse për eskalimin e situatës në katër komunat veriore, ndërsa shtoi se deeskalimi i situatës ishte rezultat i drejtpërdrejtë i veprimeve të institucioneve vendore. Sipas tij, reagimi i shpejtë dhe profesional i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës ka qenë vendimtar për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.
Ai foli edhe për dy sulme terroriste që ndodhën gjatë kësaj periudhe, një në Banjskë dhe një tjetër në Varagë të Zubin Potokut, pranë kanalit Ibër-Lepenc. Kurti deklaroi se të dyja sulmet ishin të planifikuara dhe se provat e mbledhura konfirmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë dhe strukturave të saj ilegale.
“Nëse nuk do të kishim pasur vendime me kohë dhe reagim profesional të njësive tona, sot do të përballeshim me një realitet krejt tjetër”, tha Kurti, duke shtuar se çdo kompromis ndaj sundimit të ligjit do të ishte “fatal për Republikën e Kosovës”.
Duke folur për pasojat e masave dhe zhvillimet politike, Kurti hodhi akuza ndaj partive opozitare, duke thënë se dëmet më të mëdha financiare Kosovës nuk ia ka shkaktuar BE-ja, por opozita parlamentare. Ai përmendi shpërndarjen e Kuvendit pa u votuar Plani i Rritjes së BE-së në vlerë prej 880 milionë euro, si dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro.
“Uroj që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe konstituimit të Kuvendit, edhe opozita e tanishme t’ia heqë masat Kosovës”, tha Kurti.
Megjithatë, Kuvendi kishte mbetur i bllokuar për muaj të tërë pas insistimit të Lëvizjes Vetëvendosje që Albulena Haxhiu të zgjidhej kryetare e Kuvendit, veprime që më pas u vlerësuan si jokushtetuese.
Ndërkohë, sipas një raporti të Institutit për Studime të Avancuara – GAP, masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian i kanë kushtuar Kosovës rreth 615 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra pa afat, ndërsa 7.1 milionë euro janë humbur për shkak të tejkalimit të afateve të lejuara.



