
Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se diaspora e Kosovës është mjaft e angazhuar politikisht dhe e lidhur me Kosovën. Palokaj ka thënë se kjo dëshmohet edhe përmes pjesëmarrjes në zgjedhje.
“Diaspora e Kosovës është mjaft e angazhuar politikisht. Vazhdon të jetë e lidhur me Kosovën dhe ta ndien atë lidhje, që dëshmohet edhe përmes pjesëmarrjes në zgjedhje që nuk shihet aq shumë te disa popuj tjerë. Kosova është prapë një fenomen, ka qenë gjithmonë. Politika e Kosovës prej që e mbaj mend unë, nuk është zhvilluar asnjëherë pa pjesëmarrjen aktive të diasporës në të gjitha partitë politike, në të gjitha strukturat intelektuale, mediatike, madje edhe ushtarake. Kjo nuk është varur nga përkatësia partiake e nuk varet as tani. Fakti se në një moment të caktuar diaspora më shumë voton për një parti apo një tjetër, pak a shumë reflekton edhe situatën në Kosovë. Ndoshta ka ndonjë tendencë pak të ndryshme, por nuk ka ndonjë ndryshim të madh”, ka thënë Palokaj në “Zgjedhjet në KOHË”.



