
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj interpretimit të melodisë së një kënge nacionaliste serbe në një aktivitet të organizuar në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Osmani ka kërkuar shpjegime dhe përgjegjësi nga organizatorët, por njëkohësisht ka kritikuar pushtetin në Kosovë për, siç ka thënë, largimin e aleatëve.
“Aleatët nuk i largon dot pa pasoja. Armiqtë nuk presin derisa ti ta kuptosh dëmin. Dhe këtë çmim nuk po e paguan pushteti, por Kosova”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka paralajmëruar se incidenti në Bruksel mund të pasohet nga goditje më të rënda ndaj Kosovës.
“Sot, përmes këngëve nacionaliste serbe në organizime të BE-së, ku Kosova as nuk ftohet. Nesër, me goditje edhe më të rënda”, ka deklaruar ajo.
Osmani ka theksuar se organizatorët duhet të japin shpjegime për rastin, ndërsa ka shtuar se Brukseli nuk mund t’ia zëvendësojë Kosovës miqtë që, sipas saj, pushteti i ka larguar.
“Organizatorët e këtij forumi në BE duhet të japin shpjegime dhe të mbajnë përgjegjësi për këtë akt të papranueshëm. Por nuk mund të presim që Brukseli të na i zëvendësojë miqtë që ky pushtet i ka larguar me duart e veta”, ka përfunduar Osmani.



