
Monumenti u vendos në Bar Juvenilja, vendi ku shkrimtari pinte kafenë e mëngjesit; në ceremoni morën pjesë Helena Kadare dhe figura të kulturës e artit.
Statuja e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, u prezantua sot në kuadër të 90-vjetorit të lindjes së tij, në një ceremoni përkujtimore të mbajtur në ambientet e Bar Juvenilja.
Monumenti është vendosur pikërisht në këtë hapësirë, duke i dhënë një simbolikë të veçantë vendit, pasi Kadare kishte një lidhje të hershme me të. Gjatë qëndrimeve të tij në Shqipëri, ai njihej si frekuentues i përditshëm i barit, ku konsumonte kafenë e mëngjesit.
Statuja pritet të shndërrohet në një pikë referimi për lexuesit dhe dashamirësit e letërsisë, duke hijeshuar mjedisin dhe duke përkujtuar figurën e një prej personaliteteve më të rëndësishme të kulturës shqiptare.
Në ceremoni ishte e pranishme bashkëshortja e shkrimtarit, Helena Kadare, si dhe personalitete të njohura nga fusha e kulturës, artit dhe letrave, të cilët vlerësuan kontributin dhe trashëgiminë e Kadaresë në letërsinë shqipe dhe atë botërore.
Në ceremoni u recituan dhe poezi të Ismailit. Dihet që ai, përpara se të bëhej romancier e filloi karrierën si poet. Ai ka disa vëllime me poezi si “Kristal” dhe “Ca pika shiu ranë mbi qelq”.
Ismail Kadare njihet për kryeveprat që i ka lënë gjuhës shqipe si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur” apo “Dimri i vetmisë së madhe”.
Ai u nda nga jeta korrikun e vitit 2024.




