
Deputetja e PDK-së thotë se pretendimet e Kurtit për kapacitetet ushtarake janë promovim politik, jo projekte reale dhe të verifikuara.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar hetim institucional lidhur me pretendimet për prodhimin e dronëve dhe transparencë të plotë për fabrikën e municionit, pas raportimeve mediatike që kanë vënë në dyshim vërtetësinë e pamjeve të publikuara nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë fushatës zgjedhore.
Ajo theksoi se bëhet fjalë për një çështje serioze institucionale dhe të sigurisë kombëtare, duke shtuar se qytetarët meritojnë të dinë të vërtetën.
“Gjatë fushatës zgjedhore, ish-kryeministri Kurti promovoi publikisht, edhe përmes vizitës, atë që u paraqit si fabrikë e prodhimit të dronëve ushtarakë në Gjilan, duke lënë të kuptohet se në Kosovë po prodhohen dronë dhe kapacitete të avancuara teknologjike për siguri”, tha Kabashi-Ramaj.
Sipas saj, prodhimi i dronëve nuk është aktivitet simbolik apo promovues, por kërkon infrastrukturë të certifikuar, personel të specializuar, protokolle sigurie, licenca dhe testime teknike e operative.
“Kur një kryeministër paraqet si kapacitet shtetëror diçka që nuk ka kaluar këto faza themelore, problemi nuk është vetëm etik. Problemi është institucional dhe i sigurisë kombëtare. Prandaj kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë që të verifikojnë këtë mashtrim publik dhe keqpërdorim institucional”, u shpreh ajo.
Deputetja e PDK-së shtoi se situata të ngjashme kanë ndodhur edhe me deklaratat për fabrikën e municionit, për të cilën, sipas saj, nuk ka pasur transparencë për plane konkrete, partnerë industrialë të certifikuar apo standarde të qarta sigurie dhe cilësie.
“Siguria kombëtare nuk duhet të jetë material për video promovuese apo shfaqje për kamera dhe nuk është pronë e një qeverie apo kryeministri”, theksoi Kabashi-Ramaj.
Ajo përfundoi duke thënë se mbrojtja e vendit duhet të bazohet në kapacitete reale dhe të verifikuara, forcimin profesional të FSK-së, partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, anëtarësimin në NATO dhe bashkëpunimin me vendet aleate, si dhe në zhvillimin e mbrojtjes ajrore, kundër-dronëve dhe sigurisë kibernetike.



