
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka folur në lidhje me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, ku po gjyjohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në RTV Dukagjini, Qelaj ka pasur kritika për mënyrën e funksionimit të kësaj gjykate, përfshirë mungesën e llogaridhënies ndaj institucioneve të Kosovës.
“E para, mendoj që ky është një shqetësim tanimë është shqetësim publik…Për mua është shqetësuese mënyra se si funksion kjo gjykatë për shkak e parë se nuk ka llogaridhënie. Kjo gjykatë nuk raporton për asnjë institucion të Republikës së Kosovës. Është Gjykatë e Kosovës, por që në fakt llogaridhënie u jep shteteve të tjera” – tha ai.
Tutje, Qelaj ka listuar disa prej kritikave ndaj Gjykatës Speciale.
“Për mua ka qenë problem vetë juridiksioni që zbatohet në këtë gjykatë, sepse në praktikën tonë gjyqësore, sidomos penale, praktika gjyqësore nuk konsiderohet burim i së drejtës…Marrja e provave nga Serbia pa bashkëpunim juridiko-ndërkombëtar në forma cfarë janë marrë, dhënia e besimit, vendosja si prova të besueshme atyre provave që mund të vinë edhe nga burime të pasigurta, qoftë nga shërbimet informative, qofshin struktura paralele që veprojnë në Serbi në emër të Kosovës, mendoj që janë shqetësime që duhet me i preukopu secilin qytetar”- shtoi ai.



