
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për realizimin e projektit të Banimit Social Adekuat në Skenderaj.
Marrëveshja vjen në një kohë kur raportet politike ndërmjet VV-së dhe PDK-së vazhdojnë të karakterizohen nga përplasje të forta, ndërsa Pacolli dhe Lushtaku sot janë bërë bashkë për projektin me vlerë prej 4.4 milionë eurosh.

“4.4 milionë euro është projekti i realizimit për Banim Social Adekuat në Skënderaj ku bashkë me kryetarin e Komunës, Sami Lushtaku nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit”, ka shkruar Pacolli.
Sipas saj, nga investimi i përgjithshëm prej 4.4 milionë eurosh, 3.4 milionë euro do të financohen nga MMPH-ja, ndërsa 1 milion euro nga Komuna e Skenderajt.
“Në kuadër të projektit do të ndërtohen 78 banesa për Skënderajin me sipërfaqe prej 75 m², 82.5 m² dhe 93.5 m², të përshtatura për nevojat e familjeve përfituese.
Banim dinjitoz dhe kushte më të mira jetese për qytetarët e Skenderajt”, ka shkruar Pacolli.
Për marrëveshjen ka njoftuar edhe Lushtaku, i cili ka thënë se projekti është i dedikuar me prioritet për familjet e dëshmorëve të Skenderajt.
“Pas Objektit U, edhe Objekti Ç po bëhet realitet!
Sot nënshkruam Marrëveshjen për Financimin e Programeve të Banimit me zonjën Fitore Pacolli, ministre e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për bashkëfinancimin e Objektit Ç, me vlerë prej 4.4 milionë euro, e kredituar nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës.
Ky projekt që hyn në kuadër të Banimit Social Adekuat është i dedikuar me prioritet për familjet e dëshmorëve të Komunës së Skenderajt, si një obligim institucional dhe moral ndaj familjeve që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës.
Do të punojmë fort që edhe Objekti K të bëhet realitet, duke e kompletuar kështu tërësisht kompleksin UÇK dhe duke përmbushur një tjetër zotim ndaj familjeve që kanë dhënë shumë për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar Lushtaku.



