Kimete Berisha komenton “Dosjen Epstein”: Bota e kishte kuptuar më herët se Lajçak është idiot

Kimete Berisha, opinioniste e njohur, ka komentuar zhvillimet rreth dosjeve të publikuar të Jeffrey Epsteinit.

Berisha ka ironizuar me Miroslav Lajçakun, ish i dërguar i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, i cili theksoi se ndihet idiot, pasi iu publikuan disa email-e kontraverse.


Postimi i plotë:

Dhomat pa dritare të pushtetit

(Sekretet në treg)

Pra, burrat që nënshkruajnë për luftëra,
që vendosin a ndalen apo jo vrasjet e fëmijëve,
që luajnë me fatin e botës…
burrat që kanë çelësin e bombave atomike paskan pasur një hall më të madh: a janë mjaftueshëm burra.

…

Dhe përgjigjen nuk e kërkojnë te seksologu a psikologu… por te dhomat pa dritare.
Te korridoret e ishullit sekret (që shihet nga aeroplani) ku askush nuk pyet “si quhesh?”, sepse aty njeriu është trup pa emër.

Janë vetëm “provime”, që i kalon pa e ditur mësimin.
Vetëm “konfirmime” për burrërinë e tyre.
Një lloj vulosjeje primitive: unë mundem, pra jam.

…

Dhe pastaj, kur “dosjet” dolën nga terri, bota e pa se si vendimet e mëdha janë drejtuar nga njerëz të vegjël…
nga uria për kontroll, nga turpi i fshehur, nga lakmia e sëmurë… për t’u ndjerë “burrë”.

Kur “dosjet” ia thyen derën, Miroslav Lajçak tha: “Ndjehem idiot.”
Bota e kishte kuptuar më herët.
Ai veçse e pranoi tani.

…

Boris Jelcin një herë e gjetën natën, i dehur, duke kërkuar taksi me brekë jashtë White House.
Mirë që bota s’e dinte atë natë në dorë të kujt ishte çelësi i bombës atomike.

Mirë që nuk shpërthyen bombat atomike… por shpërthyen brekët e pushtetit.

…

Edhe publikimi i dokumenteve u kthye në teatër: miliona faqe, debat se çfarë po zbulohet e çfarë po mbahet, redaktime të turpit, kundër-redaktime…
“çfarë po lëmë e çfarë po heqim!”

Sikur po bëhet montazh filmi: e lëmë skenën, heqim fytyrën; lëmë hijen, heqim emrin; lëmë titullin, heqim përgjegjësinë.

…

Në titujt dhe rrëmujën e “fajllave”, kupton: bota nuk udhëhiqet vetëm nga diplomacia, por edhe nga kompromati.
Një herë ta blejnë sekretin, pastaj të lënë edhe pa “burrëri”, edhe pa zë.

…

Dhe ironia dëshpëruese:
ne debatojmë për “parime”, për “anësi”, për “strategji”, për “aleanca”…
ndërsa shumë nga këta burra kanë rënë në kurthin më të vjetër të historisë: kurthin e seksit si pushtet.

Jo seks si intimitet.
Seks si mall.
Seks si nënshtrim.
Seks si dëshmi për veten: unë jam i fortë sepse dikush që e shet trupin e vet s’mund të më thotë jo.

…

Çfarë mësimi nxjerr unë?
Që pushteti i tërheq shpesh burrat më të pasigurt për veten… më të kompleksuarit.
Se heroizmi i rremë blihet.

Disa burra nuk ndihen burra pa e blerë një grua;
nuk ndihen burra pa e nënshtruar një vajzë;
nuk ndihen burra pranë grave të mençura, sepse s’kanë çfarë t’u tregojnë veç krenarisë bosh.

Dhe atëherë gjejnë dhoma pa dritare ku inteligjenca s’ka vlerë… vetëm frika dhe paraja.

…

Në kurthin e dashurisë shpesh bien gratë; në kurthin e seksit bien burrat… por jo me dikë që e njohin, jo në një marrëdhënie ku kërkohet përgjegjësi.

Me dikë pa emër.
Me dikë pa gojë.
Pa dinjitet.
Me dikë që shërben si pasqyrë e rreme: ja, ti je burrë sepse e pagove këtë provë.

…

Paramendoje:
sikur ta kishte organizuar këtë “ishull” një grua e pushtetshme dhe “të përdorurit” të ishin djem.
Bota do digjej nga moralizimi:
parulla, ligje, komisione, talk-show, ndjekje e shtrigave, ulërimë kolektive.

Por kur të përdorurat janë vajza, e kur konsumatorët janë “të mëdhenjtë”, gjithçka quhet: skandal.

…

Dhe, po, edhe tek ne, në politikë e në jetë, “kurthi i seksit dhe dashurisë” është instrument i vjetër:
të gjejnë një dobësi, ta shfrytëzojnë, të mbajnë peng me turp.

Kam parë këtë lloj kurthi: ia dërgojnë njeri-tjetrit dikë si “provë”, si “tundim”, si karrem…

Por ndonjëherë nuk ta qëllojnë shijen… dhe shpëton, jo pse je e ndershme, por sepse s’të pëlqen askush.
Heroike, apo jo?

Pacientët e dashurisë shqiptare e quajnë këtë “karakter të fortë”.
E vërteta është: shqiptarët burrërinë e vjedhin; rrallë e blejnë.
Edhe kur e blejnë, e blejnë me zbritje.

Dhe pas kësaj… ti mbetesh me dyshimin më të rëndë: kush më afrohet për dashuri, e kush për të ma ndalur hovin?

…

Thonë “toka e nxjerr fshehtësinë”.
Unë them: sistemi e nxjerr fshehtësinë… të redaktuar.
Të matshme.
Të dozuar.
Aq sa të bëhet lajm, por jo aq sa të bëhet drejtësi.

…

Dhe kontrasti i botës së sotme:
një miliarder vdiq në Paris gjatë një procedure “për ta zmadhuar burrërinë”, ndërsa një djalë i varfër vdiq duke prerë dru për ta ngrohur shtëpinë.

…

P.S. Bill Clinton, “sex bombë”?
S’besoj. E kanë gënjyer.
Nuk ishte “karizëm”.
Ishte pazar.
Dhe kur burrëria blihet, gjithçka tjetër (edhe politika, edhe morali), shitet me të.
Përgjithmonë.

AUTOKRITIKË: Më mungon vetëm çelësi i bombës. Fatmirësisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.