
Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka reaguar pas raportimit se një 59-vjeçar nga Hajvalia është ndaluar për 48 orë, pasi lopa e tij kishte hyrë në oborrin e Gjykatës në Graçanicë.
Osmani e ka krahasuar këtë veprim institucional me dështimin për ta mbrojtur Arlinda Zekajn, e cila kishte raportuar dhunën dhe kërcënimet para se të vritej.
“Arlindën e lanë në duart e vdekjes. Pronarin e lopës që kullot bar e arrestojnë! Kjo është logjika e tyre. Viktima pa mbrojtje. Lopa me pronar në pranga!”, ka shkruar Osmani.
Ajo e ka cilësuar këtë si “logjikë mesjetare” dhe “drejtësi të përmbysur”.
“Kur institucionet dinë të mbrojnë kullotën nga lopa, por jo jetën e njeriut, kemi prekur fundin”, ka deklaruar Osmani.



