
Publicisti Veton Surroi e ka kundërshtuar rrëfimin e gazetarit Baton Haxhiu në emisionin “Pressing” në T7, se më 1998 kishte qenë për drekë në banesën e nënës së Surroit dhe kishte parë aty fotografinë e Josip Broz Titos.
Surroi ka thënë se nuk e ka çuar asnjëherë Haxhiun në atë banesë dhe e ka cilësuar trillim rrëfimin për fotografinë dhe bisedën me nënën e tij.
“Baton Haxhiu foli për pjesëtarët e vdekur të familjes sime, në mesin e tyre edhe për nënën time Nahire dhe dajën Zenel Kabashi. Sipas tij, unë e kam çuar në drekë në banesën e nënës sime më 1998 dhe në të ka parë fotografinë e Titos, e më pas ka zhvilluar edhe bisedë me të. Unë nuk e kam çuar Baton Haxhiun në banesën e nënës sime as më 1998 e as ndonjë herë tjetër. Fotografia e Titos dhe biseda me nënën time janë trillim i tij”, ka shkruar Surroi.
Në reagimin e tij, Surroi ka kritikuar Haxhiun edhe për përmendjen e familjarëve të tij të vdekur. Ai ka thënë se Haxhiu duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta, por jo për ato të babait apo familjarëve të tij.
Surroi ka bërë gjithashtu pretendime për veprimtarinë e Haxhiut më 1998, duke thënë se ai kishte bashkëpunuar me Zoran Stijoviqin, zyrtar të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë në Prishtinë, për të krijuar një kanal komunikimi mes Jovica Stanishiqit dhe Mahmut Bakallit. Sipas Surroit, Haxhiu kishte koordinuar takime mes përfaqësuesve të shërbimit serb dhe Bakallit në Prishtinë e në Brezovicë. Këto janë pretendime të Surroit në reagimin e tij.
Ai ka përmendur edhe refuzimin e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë për t’i dhënë Haxhiut shtetësinë më 2005, duke pretenduar se vendimi ishte bazuar në një dokument sekret. Surroi ka thënë se refuzimi ishte tejkaluar përmes së drejtës diskrecionale të presidentit shqiptar, pas një fushate mediale në TV Klan.
Haxhiu, nga ana tjetër, në “Pressing” kishte treguar se e kishte befasuar prania e fotografisë së Titos në banesën e nënës së Surroit, duke pasur parasysh prejardhjen patriotike të familjes.
“E kam shpjeguar një grua që vjen nga një familje jashtëzakonisht patriotike. E shoh një fotografi të Titos. Na kanë thirrur për drekë. E pandershme me folë për shtëpinë, por kam folur për fenomenin. Nuk është dashur të ishte ajo fotografi aty”, kishte thënë Haxhiu.
Ai kishte shtuar se gruaja ia kishte shpjeguar qëndrimin e saj me fjalët: “Kjo Kosovë dhe unë kemi shumë privilegje prej Titos”.
Positimi i tij i plotë:
Rreth disa konstatimeve të Baton Haxhiut në emisionin “Pressing” në T7 të 12 nëntorit 2026
- Baton Haxhiu foli për pjesëtarët e vdekur të familjes sime, në mesin e tyre edhe për nënën time Nahire dhe dajën Zenel Kabashi. Sipas tij,unë e kam çuar në drekë në banesën e nënës time në 1998 dhe në të ka parë fotografinë e Titos e më pas ka zhvilluar edhe bisedë me të. Unë nuk e kam çuar Baton Haxhiun në banesën e nënës sime as më 1998 e as ndonjë herë tjetër. Fotografia e Titos dhe biseda me nënën time janë trillim i tij, një gjë jo e befasishme për veprimin publik të tij.
- Gjatë bisedës në T7 B.Haxhiu u thirr në emër të fjalëve të afërmëve të mi të vdekur që janë në pamundësi të përgjigjen. Unë nuk mund të citoj fjalët e të vdekurve për B.Haxhiun apo babain e tij. Fazli Haxhiu apo Fazli Qeli, siç njihej, nuk mund të mbrohet në të vdekur nga konstatimet se ka qenë bashkëpunëtor i Shërbimit të Sigurimit i caktuar për mbulimin e aktiviteteve kulturore.
- Unë kam menduar atëherë dhe mendoj sot se Baton Haxhiu nuk është përgjegjës për veprimet e babait apo familjarëve të tij. Baton Haxhiu do të duhej të ishte përgjegjës për veprimet e veta.
- Në vitin 1998 kur thotë se ka qenë në banesën e nënës sime, B.Haxhiu ka pranuar ftesën për bashkëpunim me Zoran Stijoviqin, udhëheqës në Shërbimin e sigurimit shtetëror të Serbisë për Prishtinë, në mënyrë që të hapet një kanal i komunikimit mes shefit të sigurimit shtetëror të Serbisë Jovica Stanishiq dhe Mahmut Bakalli. B.Haxhiu, në bashkëpunim me Z.Stijoviqin, ka koordinuar takimet e përfaqësuesve të Sigurimit shtetëror të Serbisë me Mahmut Bakallin në banesën e z.Bakalli në Prishtinë dhe në hotelin e Sigurimit shtetëror në Brezovicë.
- Në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit në Hagë , gjatë dëshmive të M.Bakallit dhe pyetjeve të S.Millosheviqit, roli i B.Haxhiut nuk doli të jetë ai i bashkëbiseduesit të J.Stanishiqit, siç pretendon në deklarata të ndryshme. Gjatë bisedës kokë më kokë mes J.Stanishiqit dhe M.Bakallit, B.Haxhiu ka qenë në katin e poshtëm së bashku me operativët e Sigurimit shtetëror të Serbisë.
- Më 2005 Ministria e brendshme e Shqipërisë refuzoi pëlqimin për dhënien e shtetësisë B.Haxhiut. Dokumenti mbi te cilin MB vendosi refuzimin ishte i një natyre sekrete, që nënkupton marrëdhënie të një natyre të papërshtatshme me nje sherbim inteligjent jomiqësor me Shqipërinë. Refuzimi i M. të Brendshëm u tejkalua me të drejtën diskrecionale të Presidentit , pas një fushatë mediale të udhëhequr nga TV Klan.
- Gjatë emisionit B.Haxhiu paska elaboruar për tërë familjen time amnore, nga gjyshi im Xhemal Kabashi, te fëmijët e tij dhe dhëndurët. Përgjatë shekullit XX , Xhemal Kabashi, fëmijët dhe dhëndurët, me bindje të ndryshme e të kundërta politike, kanë formësuar shtetin e Kosovës. Krenohem me të gjithë dhe me secilin veç e veç; krenaria ime nuk pretendon t’u marrë meritat, ato janë krejtësisht tyret. .



