Vjosa Osmani për gazetën amerikane “Newsweek”: Nëse jam presidente e nominoj Trumpin për çmimin Nobël, natyrisht që e meriton

Presidentja e Kosovës shpreh gatishmërinë për ta nominuar ish-presidentin amerikan, duke vlerësuar rolin e SHBA-ve në paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka deklaruar se do ta nominonte presidentin amerikan Donald Trump për Çmimin Nobel për Paqe, duke theksuar se ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për paqen në Ballkanin Perëndimor. Këtë qëndrim ajo e shprehu gjatë një interviste për median amerikane “Newsweek”.

banner

Osmani u shpreh se, nëse do të jetë presidente në kohën kur hapen nominimet, do ta mbështeste zyrtarisht kandidaturën e Trump për këtë çmim prestigjioz. Sipas saj, roli i tij dhe i administratës amerikane ka qenë i rëndësishëm për stabilitetin dhe dialogun në rajon.

Ajo e përshkroi popullin e Kosovës si ndër më pro-amerikanët në botë, duke theksuar mirënjohjen e thellë ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen historike, veçanërisht gjatë luftës së viteve 1998–1999. Ndërhyrja e NATO-s, e udhëhequr nga SHBA-të, i dha fund konfliktit dhe ndihmoi në parandalimin e një krize humanitare dhe spastrimi etnik.

Presidentja kosovare bëri të ditur se ka zhvilluar disa biseda të shkurtra, por kuptimplota me Trump, duke shtuar se ai ka dhënë “një kontribut të jashtëzakonshëm” për paqen në rajon. “Nuk ka dyshim se ai e meriton Çmimin Nobel”, theksoi Osmani.

Megjithatë, deklarata e saj ka ngjallur diskutime të ndryshme, pasi vlerësimet për rolin e Trump në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare mbeten të debatueshme mes analistëve dhe opinionit publik.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.