
Nënkryetarja e PDK-së alarmon për mbi 15 shkelje të Kushtetutës, presion ndaj mediave dhe ndërhyrje në gjyqësor gjatë konferencës së organizuar nga grupi parlamentar Renew Europe.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besiane Musmurati, ka ngritur alarmin në Parlamentin Evropian për, siç tha ajo, përkeqësimin e standardeve demokratike dhe rritjen e tendencave autoritare në qeverisjen e fundit në Kosovë.
Gjatë një konference të organizuar nga grupi parlamentar Renew Europe, Musmurati theksoi nevojën për monitorim të rreptë ndërkombëtar, duke paralajmëruar se vendi po përballet me një mendësi qeverisëse që rrezikon themelet e shtetit demokratik.
“Në Parlamentin Evropian, pata nderin të flas në konferencën e organizuar nga grupi parlamentar Renew Europe. Ngrita alarmin për domosdoshmërinë e monitorimit të rreptë të tendencave autoritare të qeverisë së fundit,” u shpreh ajo.
Sipas Musmurati, një ndër problemet kryesore mbetet minimi i rendit kushtetues, ku, sipas saj, janë evidentuar mbi 15 shkelje të Kushtetutës. “Me mbi 15 shkelje të Kushtetutës, qëllimi është i qartë – shndërrimi i institucioneve dhe ndërmarrjeve shtetërore në vegla për përndjekjen e kundërshtarëve politikë, mediave dhe shoqërisë civile,” deklaroi ajo.
Duke folur për lirinë e medias, ajo theksoi se Kosova ka shënuar rënie të theksuar në standardet demokratike. “Sulmet sistematike ndaj gazetarëve dhe tentativat për mbylljen e mediave na kanë zbritur në nivelet më të ulëta historike sipas ‘Reporters Without Borders’,” shtoi Musmurati.
Ajo ngriti gjithashtu shqetësime për presionin ndaj sistemit të drejtësisë, duke e cilësuar këtë si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj shtetit të së drejtës. “Ndërhyrjet direkte dhe linçimet publike ndaj prokurorëve e gjyqtarëve po cenojnë rëndë shtyllën e shtetit të së drejtës,” tha ajo.
Në përmbyllje, Musmurati riafirmoi orientimin perëndimor të Kosovës dhe theksoi rëndësinë e mbrojtjes së lirive demokratike. “Republika e Kosovës është arritja jonë më e madhe historike. Liria brenda saj është po aq e shenjtë sa liria e vetë shtetit. Rruga jonë është ajo e vlerave perëndimore dhe e lirisë, jo e autoritarizmit,” përfundoi ajo.



