
Estonia po shtyn përpara idenë që ushtarëve rusë që kanë luftuar kundër Ukrainës t’u ndalohet hyrja në Zonën Shengen, një hapësirë ku udhëtohet pa viza dhe e cila mbulon shumicën e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Ideja, e paraqitur në një dokument të brendshëm për diskutim, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë dhe i cili iu shpërnda kryeqyteteve të BE-së në fund të janarit, u diskutua shkurtimisht kur ministrat e Jashtëm të bllokut evropian u takuan në Bruksel më 29 janar.
Sipas zyrtarëve të BE-së, të cilët folën me REL-in në kushte anonimiteti, ideja u prit pozitivisht nga shtetet anëtare që morën fjalën dhe pati një pajtim të përgjithshëm se puna për këtë dokument do të vazhdojë me ekspertë të çështjeve të brendshme dhe të jashtme në Bruksel.
Megjithatë, zyrtarët pranuan se u ngritën edhe pyetje për shkallën dhe nëse mund të zbatohet parandalimi i hyrjes të një numri kaq të madh njerëzish në BE.
Sipas Talinit, rreth 1.5 milion shtetas rusë kanë marrë pjesë në operacione luftarake në Ukrainë që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022 – përfshirë këtu edhe forcat e rregullta të Federatës Ruse dhe njësi të tjera, sikurse nga Grupi Wagner. Nga këta, besohet se 640.000 mbeten ende aktivë, që do të thotë se ka afër 1 milion ish-luftëtarë që janë objektiva potencialë për BE-në.
Rreziku i mundshëm i sigurisë për bllokun përshkruhet qartë në dokument: “Përvoja luftarake dhe përdorimi i dhunës, përfshirë pjesëmarrjen e mundshme në krime lufte dhe mizori të tjera kundër popullatës ukrainase, janë karakteristika të përbashkëta të këtyre individëve. Hyrja e tyre e mundshme dhe prania brenda BE-së jo vetëm që mbart një rrezik të përgjithshëm të krimit të dhunshëm, por përfaqëson një kanal të madh për infiltrimin e krimit të organizuar, lëvizjeve ekstremiste dhe operacioneve armiqësore shtetërore në të gjithë Evropën”.
Gjithashtu, në dokument thuhet se këta individë mund të jenë “një bazë rekrutimi për shërbimet e inteligjencës ruse”.
Dokumenti thotë se ka një lidhje mes ish-luftëtarëve dhe rritjes së dhunës brenda Rusisë, veçanërisht mes rreth 180.000 të burgosurve që u rekrutuan nga burgjet ruse dhe u dërguan në njësite të posaçme ushtarake që luftonin në Ukrainë.
Dokumenti po ashtu vë në pah se “shumë prej të kthyerve kanë kryer krime të rënda. Numri i përgjithshëm i tyre ka arritur nivelin më të lartë në 15 vjet në Rusi në gjysmën e parë të vitit 2025, dhe kjo rritje ka gjasa të lidhet me kthimin masiv të ish-luftëtarëve”, thuhet në dokument, ku shtohet se “liria e lëvizjes së këtyre individëve paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë për të gjithë Zonën Shengen, pavarësisht se nga cili shtet hyjnë. Ata nuk duhet të kenë vend në Evropë”.
Estonia shtoi po ashtu se “kjo nismë sigurie, kritike për situatën aktuale, kërkon mbështetje urgjente politike dhe praktike, dhe ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të interesuara t’i bashkohen nismës, duke e trajtuar si çështje urgjente dhe të ndihmojnë në përfshirjen e individëve në listën e ndalesës për hyrje në Shengen”.
A do ta ndjekin shembullin shtetet e tjera anëtare të BE-së? Me gjasë po. Por, ato gjithashtu e pranojnë se ka vështirësi në këtë drejtim. Njëra nga to është pamundësia për të siguruar të dhëna individuale për secilin ish-luftëtar, me qëllim që të regjistrohen në sistem.
“Disa qindra, madje edhe disa mijëra mund të futen në sistem, por këtu po flasim për gati një milion njerëz”, i tha një diplomat REL-it.
Ndonëse nisma estoneze konsiderohet e sinqertë dhe e dobishme, ekziston edhe një shqetësim brenda bllokut për mbingarkimin e sistemit dhe nxitjen e anëtarëve të tjerë që ta keqpërdorin atë për qëllime politike.
Një ilustrim i kësaj ndodhi verën e kaluar, kur Rumania ia ndaloi hyrjen në Zonën Shengen Ion Cebanit, kryetarit të bashkisë së kryeqytetit të Moldavisë, Kishinjev, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë kombëtare.
Ceban është rival i presidentes properëndimore të Moldavisë, Maia Sandu, e cila në atë kohë po përgatiste aleancën e saj politike për zgjedhje parlamentare, të cilat më pas i fitoi zgjedhjet. Ndalesa mbetet ende në fuqi, edhe pse disa kryeqytete të BE-së shprehën shqetësime për natyrën politike të kësaj mase.



