
Kryediplomatja shqiptare thotë se paraburgimi i gjatë dhe mënyra e trajtimit të çështjes ngrenë pikëpyetje për standardet e gjykimit të drejtë dhe rrezikojnë perceptimin e standardeve të dyfishta.
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku Prokuroria paraqiti propozimin për dënime ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në një deklaratë publike, Spiropali theksoi se Tirana po i ndjek me shqetësim të thellë procedurat gjyqësore, duke vënë në pah se kohëzgjatja e paraburgimit, e cila ka kaluar pesë vjet pa një vendim përfundimtar, si dhe natyra e akuzave, ngrenë pikëpyetje serioze për proporcionalitetin dhe respektimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor.
Sipas saj, kjo situatë rrit perceptimin për një trajtim të njëanshëm, veçanërisht kur krahasohet me mungesën e ndjekjes së plotë penale për krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë civile në Kosovë.
“Pabarazia në ndjekjen e drejtësisë rrezikon të krijojë ndjesinë e standardeve të dyfishta dhe të cenojë besimin e publikut në drejtësinë ndërkombëtare”, theksoi Spiropali.
Ajo shtoi se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e paanshme, e balancuar dhe e mbështetur në prova të pakontestueshme, duke shmangur çdo trajtim selektiv të palëve të përfshira në konflikt. Sipas saj, çdo proces gjyqësor duhet të ruajë dallimin mes përgjegjësisë individuale penale dhe karakterit historik të luftës çlirimtare të Kosovës.
Spiropali theksoi gjithashtu se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje çlirimtare që gëzoi mbështetje të gjerë ndërkombëtare në përballje me një regjim shtypës, ndërsa kërkoi që procedurat gjyqësore të përmbyllen brenda një afati të arsyeshëm dhe me respekt të plotë për standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë.
Në fund, ajo riafirmoi përkushtimin e Shqipërisë ndaj vlerave të shtetit të së drejtës dhe drejtësisë ndërkombëtare, duke theksuar se drejtësia duhet të shërbejë për të vërtetën dhe pajtimin, e jo për të krijuar narrativa që rishkruajnë historinë e luftës në Kosovë.



