
Kontingjenti kosovar zhvillon stërvitje me mortaja në Gjermani krah ushtrisë amerikane dhe italiane.
Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Dynamic Front 26”, të organizuar nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF), me një kontingjent nga Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë, përfshirë një togë mortajash.
Ky ushtrim ka për qëllim testimin dhe rritjen e ndërveprueshmërisë mes ushtrive të NATO-s dhe forcave partnere në fushën e artilerisë dhe zjarrit indirekt. “Dynamic Front 26” po zhvillohet paralelisht në pesë shtete: Gjermani, Rumani, Poloni, Spanjë dhe Turqi.
Kontingjenti i FSK-së është dislokuar në zonën stërvitore Grafenwöhr në Gjermani, duke operuar me kapacitetet e veta logjistike. Gjatë ushtrimit, pjesëtarët e FSK-së kanë bashkëpunuar ngushtë me Regjimentin 4-319 të Artilerisë Fushore të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara dhe me njësi të Ushtrisë Italiane.
Në kuadër të stërvitjes, FSK ka realizuar qitje ditën dhe natën me mortaja 120 milimetërshe, duke dëshmuar profesionalizëm, disiplinë dhe gatishmëri për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë në funksion të paqes dhe sigurisë.



