
Para nisjes së seancës në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Konjufca thotë se “e vërteta e luftës së UÇK-së do të triumfojë”.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, është shprehur i bindur se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të shpallen të pafajshëm në përfundim të procesit gjyqësor në Hagë.
Pak para nisjes së seancës gjyqësore ndaj Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ku do të marrë pjesë edhe vetë ai, Konjufca deklaroi se beson në një vendim që, sipas tij, do të jetë në përputhje me historinë e luftës së UÇK-së.
“Verdikti final do të jetë në përputhje me historinë dhe të vërtetën e luftës së UÇK-së”, tha Konjufca para mediave, duke theksuar bindjen e tij se drejtësia do të konfirmojë, sipas tij, karakterin e drejtë të luftës çlirimtare.



