
Veprimtari shqiptaro-amerikan Osman Osmani kishte rrëfyer se si ishte bërë papritur fqinj me ish-presidentin amerikan Bill Clinton dhe çfarë i kishte thënë ky i fundit pasi kishte mësuar se ai ishte shqiptar.
Në një bisedë në podcastin “PIKË” të Veton Surroi, shkrimtar dhe publicist i njohur, më 22 qershor 2025, Osmani kishte treguar se Clintoni e kishte vizituar disa herë në shtëpinë e tij, pasi kishte blerë një shtëpi në afërsi.
“Fati… nuk di si me thanë. Bill Clinton më ka ardhur disa herë në shtëpi. U bëmë komshinj. Bleu shtëpi afër ku unë jetoj dhe erdhi vetë të më takojë”, kishte rrëfyer Osmani në “PIKË” të KOHA-s.
Sipas tij, takimi ishte shoqëruar me një bisedë të ngrohtë, gjatë së cilës Clintoni i kishte përmendur rolin e tij në çlirimin e Kosovës dhe kthimin e refugjatëve.
“Unë Kosovën e kam çliruar – unë i kam kthyer kosovarët në shtëpi”, i kishte thënë Clintoni, sipas rrëfimit të Osmanit.
Ky rrëfim është rikthyer në vëmendje pas vdekjes së Osman Osmanit, për të cilin Bill dhe Hillary Clinton kanë shprehur ngushëllime, duke e kujtuar si mikun dhe fqinjin e tyre të dashur.



