
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se edhe akterë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, kanë thënë publikisht se 5 marsi ka qenë data e fundit kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri. Në komentet drejtuar Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të shpërndarjes së Kuvendit, Osmani ka thënë se dekreti i saj është në përputhje me Kushtetutën.
Osmani më 6 mars nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Sipas saj, 5 marsi ishte data e fundit për zgjedhjen e një presidenti të ri. Kjo datë përkonte me afatin 30 ditësh që përmendet në nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës se “zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”. E dekreti u kundërshtua nga Qeveria dhe Vetëvendosje. Ata theksonin se neni 82 specifikon se Kuvendi mund të shpërndahet “nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Republikës”. E më 5 mars në mbrëmje, Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin e ri në mungesë kuorumi. Nuk pati as votim fare. Sipas VV-së, atë ditë ka nisur të rrjedhë afati 60 ditësh.
Pasi Vetëvendosje e çoi dekretin në Kushtetuese, kjo gjykatë pezulloi dekretin dhe punën e Kuvendit deri më 31 mars, për të vlerësuar kushtetutshmërinë e dekretit.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar komentet që Osmani i ka dërguar mbi lëndën. Osmani ka mbrojtur deklaratat e dhëna në konferencën për media. Ajo ka thënë se afati 60 ditësh duhet të vlejë deri në afatin 30 ditësh para skadimit të mandatit të presidentit aktual.
Sipas Osmanit, lejimi i zgjedhjes së presidentit të ri jashtë këtij afati “do të përbënte rishkrim të Kushtetutës”.
Në këto komente ajo ka thënë se edhe bazuar në deklaratat e zyrtarëve që kanë çuar lëndën në Kushtetuese, 5 marsi ka qenë afati i fundit për zgjedhjen e presidentit.
“Data 5 mars 2026 si datë e fundit për zgjedhjen e Presidentit të vendit është konfirmuar në mënyrë të përsëritur në deklarime publike, si para ashtu edhe pas nxjerrjes së Dekretit nr. 24/2026, edhe nga ana e vetë parashtruesve të kërkesave, përfshirë Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministrin e Republikës së Kosovës, anëtarë tjerë të Qeverisë dhe deputetë të shumicës parlamentare, një pjesë e të cilëve janë edhe parashtrues të kërkesës KO74/26. Rrjedhimisht, ky ndryshim në qëndrim duhet të shihet si përpjekje për të zvarritur shpërndarjen e Kuvendit, si rezultat i paevitueshëm dhe përfundimtar, e jo si një paqartësi e dispozitave kushtetuese”, thuhet më tej.
“Ka qenë plotësisht e qartë se deri në dështimin e zgjedhjes së Presidentit më 5 mars 2026, procedurë e cila ka filluar vetëm dy orë para kalimit të afatit kushtetues, të gjitha forcat politike dhe liderët institucional, kanë pasur pajtueshmëri dhe qartësi të plotë për pasojën e dështimit të zgjedhjes së Presidentit brenda afatit kushtetues, pra 5 marsit 2026, deklarata këto që janë lehtë të qasshme në platforma publike”, citohet në dokument.
Osmani ka thënë se po që se nuk do ta dekretonte shpërndarjen, do të cenohej rendi kushtetues.
Ajo ka thënë se ka pasur neglizhim të detyrimit kushtetues për të zgjedhur presidentin e ri. Pamundësia për të arritur kompromis politik nuk përbën pengesë kushtetuese, por sipas Osmanit, përkundrazi përfaqëson dështimin e vetë Kuvendit për të ushtruar kompetencat dhe përgjegjësitë që i janë besuar nga Kushtetuta.
Dekreti, sipas komenteve, nuk ka krijuar një realitet të ri juridik, por ka formalizuar një pasojë që buron drejtpërdrejt nga dështimi i Kuvendit për të përmbushur një nga detyrimet e tij themelore kushtetuese.
“Çdo interpretim tjetër do të nënkuptonte relativizimin e karakterit detyrues të Kushtetutës dhe do të krijonte precedent të rrezikshëm për funksionimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Një qasje e tillë do të hapte rrugën për bllokime të qëllimshme institucionale dhe për zbehjen e vetë parimit të sundimit të ligjit”, thuhet në dokument.
Në fund, Presidentja kërkon që Kushtetuesja të konfirmojë se respektimi i afatit përfundimtar dhe imperativ të përcaktuar në nenin 86 (2) të Kushtetutës, është detyrim kushtetues, i domosdoshëm për ruajtjen e stabilitetit institucional, funksionimin demokratik të shtetit dhe besimin e qytetarëve në rendin kushtetues të vendit.
Gjykata Kushtetuese më 9 mars 2026 ka vendosur masën e përkohshme për dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, të 6 marsit 2026. Qeveria e Kosovës ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese me të cilën pretendon se dekreti i Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Petendohet se janë shkelur gjashtë nene të Kushtetutës. Në seancën e 5 marsit, Lëvizja Vetëvendosje i paraqiti dy kandidatë për postin e presidentit: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakun. Seanca u ndërpre në mungesë kuorumi. Një ditë më pas, presidentja Osmani shpalli dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.



