
PDK e cilëson reagim të drejtë qytetar dhe kombëtar për mbrojtjen e dinjitetit të viktimave dhe të vërtetës së luftës.
Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur mbështetjen e saj për protestën e paralajmëruar për nesër nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, si reagim ndaj ekspozitës për masakrat në Kosovë, e cila është kritikuar për pasaktësi.
Në një reagim publik, PDK e ka cilësuar këtë protestë si një reagim të drejtë qytetar dhe kombëtar për mbrojtjen e dinjitetit të viktimave, të familjeve të tyre dhe të vlerave të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
“Kjo protestë është një reagim i drejtë qytetar dhe kombëtar për mbrojtjen e dinjitetit të viktimave, të familjeve të tyre dhe të vlerave të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Çdo përpjekje për të shtrembëruar faktet, për të relativizuar krimet apo për të rishkruar historinë tonë është e papranueshme dhe duhet të kundërshtohet me vendosmëri”, thuhet në reagim.
PDK thekson se mbrojtja e së vërtetës për luftën është një detyrim shtetëror dhe moral.
“Duke ruajtur të vërtetën, ne njëkohësisht nderojmë viktimat dhe sakrificën e tyre”, thuhet më tej në reagim.



