
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka shprehur mbështetje të plotë për protestën e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) kundër ekspozitës që sipas tij përmban të dhëna të pasakta mbi masakrat në Kosovë.
Hoti ka theksuar për GazetaBlic se ky veprim trajton në mënyrë të papërgjegjshme plagët e hapura të vendit dhe familjarëve të viktimave dhe duhet të marrë fund.
“Unë, si deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e mbështes plotësisht këtë iniciativë. Kjo sjellje e papërgjegjshme ndaj plagëve ende të hapura të Kosovës dhe familjarëve të viktimave duhet të marrë fund”, tha Hoti.
Ai ka bërë thirrje për përgjegjësi të plotë nga të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në ekspozitën me të pavërteta, duke nënvizuar se drejtësia dhe përgjegjësia janë të vetmet mënyra për të shëruar plagët e hapura.
“Është e domosdoshme që të ketë përgjegjësi të plotë nga të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në këtë ‘ekspozitë të masakruar’ me të pavërteta për masakrat në Kosovë. Vetëm përmes drejtësisë dhe përgjegjësisë së atyre që shtrembërojnë historinë mund të shërohen plagët e hapura nga ky veprim”, tha Hoti për GazetaBlic.


