Tahiri: Kurti ka abuzuar me konstruktivitetin e PDK-së, nëse do takim le të dërgojë ftesë zyrtare

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së thotë se partia e tij ka qenë transparente për çështjen e presidentit dhe akuzon Kurtin se po e dramatizon situatën për ta çuar vendin në zgjedhje.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës ka qenë konstruktive dhe transparente në procesin e diskutimeve për zgjedhjen e presidentit, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti për mungesë serioziteti në këtë proces.

banner

Në një deklarim për RTV21, Tahiri tha se çdo përpjekje për ta keqinterpretuar qëndrimin e PDK-së tregon se pala tjetër nuk është e interesuar për të gjetur një zgjidhje dhe për t’i shmangur vendit zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“PDK-ja ka qenë shumë konstruktive, shumë pozitive dhe transparente, si para takimeve, gjatë takimeve, ashtu edhe pas tyre. Pra, ka prezantuar shumë hapur qëndrimet e saj. Ndërsa, secila tendencë për ta keqinterpretuar qëndrimin e PDK-së tregon nga pala tjetër se nuk ka qasje serioze dhe nuk është e interesuar që seriozisht t’i ofrojë vendit president dhe t’iu shmanget zgjedhjeve. Pra, i shoh si taktika të Kurtit për ta dramatizuar situatën dhe, në anën tjetër, për ta dërguar vendin në zgjedhje”, ka thënë Tahiri.

Ai gjithashtu e quajti “telenovelë” deklaratën e Kurtit se për zgjedhjen e presidentit nevojiten 84 apo 85 vota të sigurta.

“Vazhdim i telenovelave për ta humbur vëmendjen dhe për të krijuar situata të paarsyeshme, por ne e dimë se konsensusi arrihet me 80 vota dhe se të mjaftueshme janë 80 vota”, theksoi ai.

Sa i përket mundësisë së një takimi mes Kurtit dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, Tahiri tha se fillimisht duhet të ketë një ftesë zyrtare.

“Nuk është se është treguar seriozitet dhe respekt, pra është abuzuar me bashkëpunimin dhe konstruktivitetin e PDK-së. Ndërsa tani qëndrimi është se duhet të ketë shkresë zyrtare drejtuar PDK-së, përkatësisht kryetarit, dhe më pas PDK-ja do ta trajtojë në organet e saj kërkesën dhe do të dalë me qëndrim”, deklaroi Tahiri.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.