
Hashim Thaçi, ish-presidenti i Kosovës, ka dhënë një intervistë në lidhje me procesin në Hagë për gazetën e famshme gjerman, FAZ.
Në këtë intervistë, Thaçi është pyetur nëse do ta këshillonte PDK-në të bashkëpunonte me VV-në e Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, për të kapërcyer bllokadën.
Ish-presidenti ka folur edhe për intervenimin e NATO-s më 1999.
Pjesë nga intervista:
FAZ: Procesi ndaj jush dhe të bashkëakuzuarve tuaj ka rëndësi të madhe edhe për Perëndimin. Nëse shpalleni fajtor, kjo do të nënkuptonte se Perëndimi (NATO) gjatë bombardimeve të vitit 1999 ka bashkëpunuar me një kriminel lufte. A ndjeni ndonjë nervozizëm tek aktorë të caktuar në Perëndim për një rezultat të tillë të mundshëm? (Shënim personal: Sipas mendimit tim, ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ishte e justifikuar dhe e nevojshme – madje erdhi me vonesë.) Madeleine Albright shkruan në kujtimet e saj se në Rambuje nuk mund të merrnit vendime i vetëm, por duhej të konsultoheshit vazhdimisht me UÇK-në në Kosovë. A do ta përdorni këtë argument në mbrojtjen tuaj?
Thaçi: Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 u udhëhoq nga vlerat thelbësore perëndimore: liria, drejtësia, të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e jetës njerëzore.
NATO erdhi në ndihmën tonë sepse e kuptoi kush ishim, për çfarë qëndronim dhe çfarë po përjetonim nën regjimin e Milosevic-it.
Në konferencën e Rambujesë në vitin 1999, delegacioni ynë pranoi paqen, ndërsa Serbia zgjodhi luftën dhe spastrimin etnik. Vendimi ynë pasqyroi përkushtimin ndaj dialogut dhe bashkëjetesës paqësore. Më vjen keq që figura si Madeleine Albright, Richard Holbrooke dhe Robert Dole nuk janë më gjallë – do të kishin qenë dëshmitarë të rëndësishëm. Ata e kuptonin kontekstin dhe qëllimet e popullit të Kosovës. Serbia sulmoi Kosovën dhe populli i Kosovës rezistoi. Pa këtë rezistencë dhe pa ndërhyrjen e NATO-s, Kosova nuk do të ekzistonte sot.



