
Kryeministri shqiptar deklaron se gjatë një takimi me Trump kërkoi ndërhyrje për procesin në Hagë, duke e cilësuar atë të bazuar në “raport fantazish”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar në një intervistë për gazetarin Alexis Papahelas, kryeredaktor i gazetës Kathimerini, se i ka kërkuar presidentit amerikan Donald Trump të ndërhyjë në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas Ramës, kërkesa është bërë gjatë një takimi me Trump në ditën e themelimit të Bordit të Paqes, ku ai ngriti shqetësimin për mënyrën se si është ndërtuar procesi gjyqësor.
“Ishte mbështetur mbi një raport fantazish nga rusët, nga Vladimir Putin, që mbështeste një mocion për të hetuar të ashtuquajturat krime lufte dhe trafik organesh,” u shpreh Rama.
Ai theksoi se gjykata, sipas tij, u ngrit mbi këto pretendime dhe më pas procesi mori një drejtim tjetër. “Nuk kishte ndodhur asnjë trafik i organeve njerëzore dhe akuzohen që kanë udhëhequr luftën kundër pushtuesve dhe kanë bashkëpunuar me NATO,” tha ai.
Rama shtoi se i kishte kërkuar Trump të ndërhyjë në këtë çështje, por la të kuptohet se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, duke thënë se presidenti amerikan “ka qenë shumë i zënë”.



