Një shteg i rrezikshëm i Albin Kurtit

Shkruan: Andi Bushati

Kryeministri i Kosovës ka përcjellë mesazhe shqetësuese kundër opozitës, ndërsa vendi po përballet me një krizë të re institucionale, këtë herë prej paaftësisë të parlamentit për të zgjedhur presidentin e ri. As partia në pushtet dhe as opozita nuk lëshuan pe, duke e hedhur barrën e përgjegjësisë tek qytetarët, të cilët do të detyrohen të dalin, për të tretën herë gjatë një viti, në zgjedhje të përgjithshme që nuk prodhojnë zgjidhje.

banner

Por, deri këtu përgjegjësia për fajin mund të jetë e interpretueshme. Nga njëra anë opozita, që e bojkotoi procesin, këmbëngul se e bëri këtë për të respektuar vullnetin e popullit, që i ka dhënë Kurtit votat për të qeverisur, por pa i deleguar mandat për të uzurpuar të gjitha pushtetet. Në tjetërn, Vetëvendosja pretendon se qëllimi i kundërshtarëve të saj është vetëm bllokimi dhe moslejimi përmes mjetesh destruktive i verdiktit që kanë dhënë votuesit vetëm katër muaj më parë.

Në të gjitha teoritë e sistemeve politike dëshira për ta likuiduar kundërshtarin, për ta mposhtur rivalin deri në alienim, të shikuarit e atij jo si një konkurent, por si një armik që i shërben të keqes, gjë për të cilën duhet punuar deri në mosekzistencën e tij, është karakteristikë tipike e liderve autoritarë. Në librin e tyre “Si vdesin Demokracitë”, dy studiuesit amerikanë Steven Levistsky & Daniel Ziblatt flasin për principet e vetëpërmbajtjes dhe tolerancës që kanë të bëjnë me moskapërcimiin e kuftijve të një udhëheqësi që e konsideron veten demokrat. Ata argumentojnë se një lider duhet të jetë tolerant dhe i vetëmërmbajtur duke e frenuar pushtetin e tij edhe për gjëra që atij ia lejon ligji.

Fiks sikur ta kishin shkruar, vite më parë, atë për të cilën foli tani Albin Kurti, në librin e tyre ata thonë: “Mendoni për demokracinë si për një lojë që duam ta luajmë pafundësisht. Për të pasur raunde të saj edhe në të ardhmen, lojtarët duhet të përmbahen nga dëshira për ta shkatërruar skuadrën tjetër deri në atë shkallë, sa ajo të mos ketë mundësi të luajë të nesërmen”.

Si me sjellejen përgjatë gjithë procesit të zgjedhjes së presidentit, ku nuk përfilli realisht opozitën, duke vënë bast se ajo është aq e dobët sa do të nënshtrohet, e aq me tepër, me thirrjen drejtuar votuesve për ta shfarrosur atë, Albin Kurti ka nxjerrë në pah, në mënyrëm më të dukshme të mundshme, atë anë të personalitetit autoritarist që e kanë pjesa më e madhe e politikanëve të lartë, por që i dallon nga njëri tjetri, të kujdesshmit që dinë ta vetpërmbajnë, nga të dytët që nuk e kontrollojnë dot. Dhe ky është lajmi më i keq, si asaj që po ndodh sot në Kosovë, madje edhe me i rëndë sesa kriza aktuale dhe provokimi i zgjedhjeve të parakohshme.

Natyrisht, thënë këtë, kjo nuk nënkupton se situata është në një pikë pa kthim, si te ne në Tirana, apo pak më larg në Beograd. Kosova vijon të mbetet demokracia më e përparuar e Ballkanit Perendimor, ku opozita ende e ka fuqinë të shkaktojë kriza, ku mediat janë të lira gjithë ditën të nxjerin në shesh mëkatet e qeverisë, ku politikat qeveritare nuk kontrollohen nga interesat e një grupi të vogël oligarkësh.

Por, duke qenë se demokracia është një proces i pandërprerë, që kërkon gjatë gjithë kohës antikorpe të fuqishme dhe vigjilenë të vazhdueshme, sjellje si këto të fundit të kryeministrit të Kosovës duhen parë me shqetësim. Pikërisht për këtë, në zgjedhjet e radhës edhe ata që mund të kenë ndërmend të votojnë Vetvendosjen, duhet të jenë të kujdeshsëm për të mos iu bindur kushtrimit të Kurtit, që u ka këkruar asgjesimin e plotë të rivalëve.  

©Lapsi.al

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.