
Osmani thotë se me ish-deputeten e Guxos dhe VV-së i bashkojnë vlerat, vizioni dhe dashuria për vendin.
Vjosa Osmani ka njoftuar se Jeta Statovci do t’i bashkohet rrugëtimit të saj politik në zgjedhjet e ardhshme.
Në postimin e saj, Osmani kujtoi fillimin e përbashkët të angazhimit politik në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se bashkë po vazhdojnë drejt një etape të re politike.
“E nisëm bashkë rrugëtimin në Kuvend. Dhe bashkë po vazhdojmë drejt Kuvendit”, ka shkruar Osmani.
Ajo vlerësoi Statovcin si një nga deputetet më të votuara ndër vite, duke rikujtuar se mandatin e parë e kishte marrë në moshën 26-vjeçare dhe ishte rikonfirmuar tri herë radhazi nga qytetarët.
Sipas Osmanit, ato i kanë bashkuar gjithmonë virtyti, vizioni, vullneti dhe e vërteta, ndërsa mbi të gjitha vlerat mbi të cilat e nisën rrugëtimin politik.
“Kur ato devijojnë, ne ringrihemi në këmbë, për dashurinë ndaj vendit dhe për rrugëtimin e sigurt të Kosovës”, ka theksuar Osmani në postimin e saj.



