
Sekretarja e Përgjithsme të PDK-së, Vlora Çitaku, i ka reaguar ashpër ministres në detyrë të Ambientit, Fitore Pacolli, e cila dje ka fyer rëndë qytetarët e Skenderajt.
Ajo ka kërkuar nga ministrja në detyrë që ta lerë rehat Drenicën.
Në profilin e saj në Facebook, Çitaku ka shkruar për injorimin që Qeveria Kurti ia ka bërë rajonit të Drenicës.
Postimi i plotë:
“Nëse kanë ardhë këtu me mentalitetin e Skenderajt, çka s’pritet prej tyne.”
Kështu paska thënë një ministre e Republikës së Kosovës. Një njeri i veshur me pushtet, që paguhet nga taksat e qytetarëve dhe që do të duhej t’u shërbente të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Zonjë, lëre Drenicën rehat.
Për gjashtë vjet me radhë e keni lënë pa mbështetje, pa investime dhe pa projekte zhvillimore. Tash, pasi e keni penalizuar financiarisht, po mundoheni ta anatemoni edhe politikisht. Nuk do t’ia dilni.
Drenica nuk ka nevojë për leksione nga ju. Drenica ka dhënë më shumë për këtë vend sesa shumë prej nesh do të mund të japim ndonjëherë.
Por e kuptoj pse po e bëni këtë. Sepse është më e lehtë të sulmosh një rajon të tërë sesa të përgjigjesh për dështimet e tua.
Përgjigjuni qytetarëve:
Sa qytetarë janë larguar nga Kosova gjatë qeverisjes suaj gjashtëvjeçare?
Cilin projekt kapital mund ta përmendni që e keni nisur dhe përfunduar?
Sa janë rritur çmimet gjatë këtyre viteve?
Çfarë masash konkrete keni marrë për ta frenuar inflacionin?
Sa energji elektrike keni importuar dhe sa u ka kushtuar qytetarëve?
Çfarë keni bërë që të rinjtë ta shohin të ardhmen e tyre në Kosovë dhe jo në migrim?
Këto janë pyetjet që presin përgjigje.
Jo sulmet ndaj Drenicës. Jo paragjykimet ndaj Skenderajt. Jo përpjekjet e neveritshme për t’i përçarë qytetarët e Kosovës.



