
Gazetarja Blerta Foniqi-Kabashi ka njoftuar largimin e saj nga Radiotelevizioni i Kosovës pas 22 vitesh punë.
Në një mesazh publik, ajo tha se dita e sotme ishte dita e saj e 8157-të në RTK.
“Për 22 vite me radhë, brenda këtij institucioni, kam kaluar sfida, jam rritur profesionalisht dhe kam krijuar kujtime të bukura”, shkroi ajo.
Foniqi-Kabashi deklaroi se, ndonëse kishte menduar se largimi do ta rëndonte emocionalisht, po ndihet e çliruar.
“Kam menduar se do të mërzitem shumë kur të vijë dita të largohem nga RTK. Por është krejt e kundërta. Po ndihem e çliruar”, u shpreh ajo.
Ajo theksoi se RTK-në e sheh vetëm si transmetues publik dhe se për këtë ka luftuar gjatë gjithë karrierës.
“Faji im i vetëm është se e dua RTK-në vetëm si transmetues të publikut”, deklaroi gazetarja.
Në fund, Foniqi-Kabashi falënderoi kolegët, shikuesit dhe familjen për mbështetjen, duke paralajmëruar rikthim të shpejtë në një angazhim të ri.
“Ne do të shihemi shumë shpejt nga një dritare shumë e madhe”, përfundoi ajo.



