
Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit për të mos i lejuar mediat të raportojnë nga seanca për vrasjen e motrës së tij.
“Sot mora pjesë në seancën e Apelit në rastin e vrasjes së Liridonës, ku gjykata vendosi të mos lejojë mediat të raportojnë për këtë rast”, ka shkruar Ademaj.
Ai ka thënë se ky vendim i bën “hije të keqe” Gjykatës së Apelit dhe ka kërkuar që procesi të zhvillohet me transparencë.
“Kur na vriten motrat, gjykata duhet t’i tregojë botës se drejtësia po e bën punën e saj me transparencë dhe përgjegjësi, e jo që procesi të zhvillohet në fshehtësi”, ka deklaruar ai.
Sipas Ademajt, në seancën e Apelit nuk ka asgjë të re që do ta arsyetonte përjashtimin e mediave dhe publikut.
“Ne kërkojmë drejtësi për Liridonën dhe transparencë në çdo hap të këtij procesi”, ka përfunduar ai.



