Flaka Surroi: Prishtina më e ndotur se kurrë, ndërsa Rama mendon për politikën nacionale

Publicistja Flaka Surroi ka komentuar përplasjen e fundit mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe koordinatorës së komiteteve të Vetëvendosjes, Dejona Mihali, duke vlerësuar se pas saj fshihet një betejë më e gjerë politike për lidershipin e ardhshëm opozitar.

Sipas Surroit, Rama po profilizohet si një figurë që synon të marrë rol më të madh në politikën nacionale, madje edhe si lider i ardhshëm i LDK-së ose i opozitës së bashkuar.

banner

“Pse pikërisht Rama? Për shkak se është duke e profilizuar veten, për të mos thënë janë duke e profilizuar, si lider i ardhshëm i LDK-së, apo edhe i opozitës së bashkuar”, ka shkruar ajo.

Megjithatë, Surroi vlerëson se ambiciet politike të Ramës nuk po përcillen me rezultate në kryeqytet, duke kritikuar gjendjen në Prishtinë.

“Punët në qytet janë duke shkuar keq dhe qyteti kurrë nuk ka qenë më i ndotur e më i mbushur me bërllok sesa në këta pesë vjetët e fundit”, ka theksuar ajo.

Sipas Surroit, është legjitime që Rama të ketë ambicie politike, por po aq legjitime është që qytetarët të kërkojnë përmbushjen e premtimeve dhe përgjegjësive të tij si kryetar i Prishtinës.

Pjesë nga atikulli i shkruar për Koha Ditore:

E gjithë java shkoi me këmbime porosish mes Përparim Ramës, kryetarit të Prishtinës dhe Dejona Mihalit, koordinatores së Komiteteve në VV – dhe pikënisja qe te një aksident tragjik që kishte ndodhur në autostradën Prishtinë-Prizren, ku një grua humbi jetën.

Përderisa Ministria e Transportit prej vitesh ka dështuar të merret seriozisht me mirëmbajtjen e asaj rruge (pesë vjet, nuk ka pasur sinjalizim horizontal në të, sa për ta përmendur një detaj), dhe mbase mund të jetë përgjegjëse e tërthortë e këtij aksidenti (ende nuk janë sqaruar rrethanat) – e meriton secilën kritikë që mund t’i shqiptohet. Fundja bëhet fjalë për sigurinë rrugore të shfrytëzuesve të kësaj udhe.

Dhe do të ishte e pritur që ndonjëri nga kandidatët për kryeministër, a ndonjëri nga ministrat në hije të reagonte. Kjo nuk ndodhi. Akuzën e hodhi në FB kryetari i Prishtinës. Ramës i reagoi më së pari Ilir Kërçeli, më pas Dimal Basha dhe në fund, VV-ja terrenin ia lëshoi Mihalit, që me një seri shkrimesh ironike e shpotitëse megjithatë ka hedhur shumë akuza kundër Ramës edhe një numri njerëzish, politikanësh e pronarë mediumesh.

Pse pikërisht Rama?

Për shkak se është duke e profilizuar veten (për të mos thënë janë duke e profilizuar) si lider i ardhshëm i LDK-së, apo edhe mbase opozitës së bashkuar në situatën hipotetike se mund të kemi zgjedhje shumë shpejt, po qe se dështon zgjedhja e kryetarit/kryetares.

Se përse do të akomodohej aty?

Për shkak se të dyja mandatet në Prishtinë ia siguruan votat e PDK-së dhe AAK-së në balotazh; investon shumë në PR, në reklamimin e punëve që thotë se i bën; se është në gjendje të dalë në protestë me ata që protestojnë kundër tij, dhe të bërtasë “qiti paret kryeministër”; ngase Abdixhiku dhe Osmani i dogjën fishekët me “bashkimin” dhe që mbase perceptimin për popullaritetin që e gëzojnë, e kanë joreal dhe për shkak se ka kohë e përsërit se nuk është anëtar i LDK-së, pra, ashtu siç mundi të bëhej kandidat i LDK-së, nesër mund të bëhet edhe i PDK-së apo kujtdo qoftë…

E pse punët në qytet janë duke shkuar keq, e se qyteti kurrë nuk ka qenë më i ndotur e mbushur me bërllok sesa në këta pesë vjetët e fundit e se kurrë më shumë ngufatje në qytet nuk ka pasur – kjo duket nuk është gjë që i shkakton brengosje.

Thuajse dy mandate të fituara në qytet mjaftojnë të shndërrohen në trampolinë për të synuar më lart. Por, Rama do të duhej ta dinte, (e besoj se këtë e di), se shkuarja vetëm nën bajrakun e LDK-së, nuk do ta çojë larg. Prandaj përkujdeset që në publik të paraqitet miqësor me të gjithë (pos VV-së); përkujdeset të flasë për UÇK-në (dhe pyetja klasike për të, e vaktit të pasluftës, do të ishte: “e ku ke qenë ti Përparim kur Kosova ka qenë në luftë?”), përkujdeset të dalë në foto me djemtë e Thaçit e Veselit, e lartëson Rugovën, etj., etj.

Pra, është legjitime që të kesh ambicie. Madje edhe politike, në rrethanat ku hendeku mes pushtetit dhe opozitës është shumë i madh, në rrethanat kur e parafytyron veten shpëtimtar të opozitës së copëtuar.

Por gjithashtu është shumë legjitime që nga ai të kërkohet përmbushja e përgjegjësive të marra pas zgjedhjeve komunale – që të na e bëjë jetën në Prishtinë më të mirë e më të lehtë. E atë që po shohim në gjashtë muajt e parë të mandatit të dytë, është edhe më keq sesa në mandatin e parë.

Mbase edhe bëhet interesant, po qe se në një të ardhme jo të largët, na shfaqet një figurë, a një subjekt politik, që do të jetë alternativë e kësaj çfarë kemi. Sinqerisht, Ramën nuk e konsideroj alternativë, por në fakt, pjesë e këtij brezi që duhet lëshuar rrugë të tjerëve.

E di që rrugën nuk e lëshojnë – prandaj do të jetë interesante të shihet se si do të përfundojnë luftërat e brendshme partiake te opozita. Gjasat janë se do të shpalosen shpejt sidomos nëse janë të vendosur të na çojnë në zgjedhje përsëri

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.