Protestat në Tiranë, Rama: S’mund ta bëj përgjegjës Kurtin në sallahanet e Vetëvendosjes të përfshirë në këtë çorbë dreqërish

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka kritikuar pjesëmarrësit nga Kosova e Maqedonia e Veriut në protestën që po mbahet tash e 22 ditë në Shqipëri.

Sipas Ramës, diasporë e Shqipërisë nuk janë shqiptarët e Kosovës e as ata të Maqedonisë së Veriut, shkruan KOHA.

banner

Duke iu referuar pjesëmarrësve që udhëtuan drejt Tiranës për protestë, Rama përdori tone të ashpra, duke thënë se kur “karvane politike nga Prishtina e Tetova” paraqiten në Tiranë si diasporë, ata dëmtojnë imazhin e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Ai ngriti pyetjen nëse ata që duan shqiptarët në konflikt dhe rrëmujë gëzohen kur shohin, sipas tij, një “diasporë” nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut që shkon drejt Tiranës për të rrëzuar qeverinë shqiptare. Rama shtoi se sponsorët e këtyre veprimeve po shpenzojnë para vetëm për t’i bërë dëm imazhit kombëtar dhe ndërkombëtar të Kosovës dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Vend në reagimin e Ramës pati edhe përdorimi i simboleve kombëtare dhe atyre të UÇK-së gjatë protestës. Kryeministri shqiptar tha se nuk do t’i hiqet nga mendja, sipas tij, “përdhosja e flamurit çlirimtar të UÇK-së”, duke e konsideruar të papranueshme përdorimin e tij si simbol në një përpjekje për rrëzimin e qeverisë në Tiranë.

Rama përmendi edhe anëtarë dhe mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje, duke i cilësuar disa prej tyre si të përfshirë në atë që ai e quajti “çorbë dreqërish”. Megjithatë, ai bëri një ndarje mes tyre dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë përgjegjës Albin Kurtin për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish”, shkroi Rama.

Sipas tij, çdo forcë e madhe politike ka individë që nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimet e lidershipit, duke shtuar se do të fyente inteligjencën e Albin Kurtit nëse do të mendonte se ai gjykon njësoj si personat që kritikoi në reagimin e tij.

Në fund të postimit, Rama kërkoi që emri i kryeministrit të Kosovës të mos lidhet me ngjarjen, duke theksuar: “Lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.