
Anëtari i LDK-së, Ermal Sadiku, ka deklaruar se e mbështet përfshirjen e Kosovës në projektin e gazit amerikan, por ka vlerësuar se partneriteti strategjik me SHBA-të duhet të fokusohet edhe më shumë te teknologjia dhe Inteligjenca Artificiale.
Sipas Sadikut, çdo investim që forcon sigurinë energjetike të Kosovës është i mirëseardhur, por prioriteti i tij do të ishte teknologjia amerikane.
“Normalisht që jam për gazin amerikan. Çdo investim që e forcon sigurinë energjetike të Kosovës është i mirëseardhur. Por, nëse do të duhej ta zgjidhja një marrëveshje strategjike me SHBA-të, prioriteti im do të ishte teknologjia amerikane, veçanërisht Inteligjenca Artificiale”, ka shkruar ai.
Sadiku ka propozuar që Kosova të bashkëpunojë me kompani amerikane të teknologjisë për trajnime të avancuara në AI, krijimin e qendrave kombëtare për Inteligjencë Artificiale, programe rikualifikimi për punëtorët dhe mbështetje për startup-et teknologjike.
Ai ka theksuar se AI mund të transformojë arsimin, shëndetësinë, administratën publike dhe ekonominë, duke e bërë Kosovën jo vetëm përdoruese, por edhe eksportuese të teknologjisë.



