
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mohuar akuzat se qëndron pas projektit të diskutueshëm në Zvërnec, ndërsa ka deklaruar se protestat kundër tij janë nxitur kryesisht nga kundërshtarët e presidentit amerikan Donald Trump.
Në një intervistë për Financial Times, Rama ka hedhur poshtë pretendimet se është “kumbara” i projektit miliardësh ku përfshihet edhe Jared Kushner, dhëndri i Trumpit.
“Njerëzit thonë se jam udhëheqësi i gjithë kësaj. U them pirdhuni. E thjeshtë. Nuk më takon mua ta dëshmoj që s’jam kumbara. U takon atyre ta dëshmojnë se qenkam”, ka deklaruar ai.
Rama ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet se ekonomia shqiptare mbështetet në pastrim parash, duke thënë se fenomeni ekziston, por nuk është përcaktues për ekonominë e vendit.
Sa i përket protestave, ai ka insistuar se kundërshtimi ndaj projektit lidhet me emrin e Jared Kushnerit dhe raportet e tij me Donald Trumpin.
“Ka shumë interesim për ta mbytur këtë projekt… për shkak të Trumpit. Sikur të mos ishte Jared Kushneri, askujt s’do t’i interesonte për flamengot, për Shqipërinë, për asgjë”, ka thënë Rama.
Megjithatë, ai ka bërë të ditur se projektet e investimeve në bregdet do të vazhdojnë pavarësisht protestave, duke i cilësuar investitorët si seriozë dhe projektin si një “shans historik” për Shqipërinë./Koha



