Lumir Abdixhiku kërkon dorëheqjen e dy kryetarëve të degëve: Rezultati i dobët në Pejë e Lipjan tregon sabotim të thellë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj kërkesave për dorëheqjen e tij nga disa zyrtarë të partisë, duke deklaruar se përgjegjësia për rezultatet e dobëta në Pejë dhe Lipjan bie mbi drejtuesit lokalë të këtyre degëve.

Abdixhiku ka thënë se çështja e dorëheqjes së tij është trajtuar tashmë në Kuvendin e LDK-së më 31 janar, ndërsa ka kërkuar dorëheqjen morale të dy kryetarëve të degëve përkatëse.

banner

“Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm. Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së”, ka shkruar ai.

Sipas Abdixhikut, LDK-ja nuk do të lejojë që, siç i quajti ai, “projektet e ndarjeve” të marrin formë brenda partisë.

“Për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë”, ka theksuar ai.

Kreu i LDK-së ka akuzuar gjithashtu disa struktura të brendshme për sabotim dhe përpjekje për ta dëmtuar partinë nga brenda.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.