
Zyrtari i LDK-së, Berat Rukiqi, ka reaguar pas kërkesave për reflektim brenda partisë, duke theksuar se përgjegjësia për rezultatet zgjedhore duhet të fillojë nga vetë degët që kanë shënuar performancë të dobët.
Rukiqi ka bërë të ditur se në një mbledhje të Degës së Dytë është kërkuar reflektim për rezultatin zgjedhor, por sipas tij ky proces duhet të nisë nga kryesitë lokale.
“Reflektimi është i domosdoshëm. Por ai duhet të nisë së pari nga vetë Kryesia e Degës”, ka shkruar ai.
Sipas Rukiqit, disa anëtarë të kryesisë kanë munguar në shumicën e mbledhjeve dhe nuk kanë qenë aktivë në proceset zgjedhore, duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e dobët të degës.
Ai ka vlerësuar se kërkesa për reflektim vetëm nga udhëheqja qendrore, pa analizuar përgjegjësitë lokale, përbën standard të dyfishtë.
“Pa asnjë analizë të përgjegjësive të Degës dhe pa asnjë reflektim për dështimet lokale, të kërkosh reflektim vetëm nga udhëheqja qendrore e partisë është hipokrizi”, ka deklaruar Rukiqi.
Ai ka rikujtuar gjithashtu se çështja e udhëheqjes së partisë është trajtuar në Kuvendin e 31 Janarit dhe se vendimet e atij kuvendi duhet të respektohen.



