
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998 do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Përmes një reagimi publik, Mexhiti tha se fakti që ministrja nuk është shkarkuar, nuk është dënuar publikisht dhe nuk ka pasur asnjë reagim nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, dëshmon se mendësia nacional-shoviniste në Serbi nuk ka ndryshuar.

“Kur një zyrtar qeveritar, në shekullin XXI, shpreh publikisht keqardhjen se Millosheviqi nuk e paska pastruar Kosovën nga shqiptarët dhe për këtë nuk ndëshkohet, atëherë shtrohet pyetja se çfarë ka ndryshuar realisht në mendësinë nacional-shoviniste serbe, që ende vazhdon të ëndërrojë Serbinë e Madhe”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka kritikuar edhe nismën “Open Balkan”, duke e cilësuar atë si një projekt që, sipas tij, ka shërbyer për rehabilitimin politik dhe ideologjik të Serbisë.
“Këto janë fytyrat e vërteta të Open Balkan-it, iniciativës që tentuan të na e shesin si perspektivën më të mirë për integrimin rajonal, por që në fakt shërbeu si kornizë për rehabilitimin historik, politik dhe ideologjik të Serbisë për krimet makabre të kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi”, tha ai.
Mexhiti rikujtoi krimet e kryera në Kosovë gjatë viteve 1998–1999, duke përmendur mbi 10 mijë civilë shqiptarë të vrarë, rreth 2 mijë persona ende të zhdukur dhe mijëra gra e vajza të dhunuara.
Në fund, ai theksoi se Kosova sot është shtet i pavarur dhe demokratik.
“Sot Kosova është shtet i pavarur, demokratik dhe i njohur ndërkombëtarisht. Subjektivitetin e saj e demonstrojnë institucionet e zgjedhura në mënyrë demokratike, ndërsa e garanton Ushtria e Kosovës. Kumbarët e Open Balkanit dhe avokatët e Aleksandar Vuçiqit le të vazhdojnë të heshtin. Në heshtje e aprovojnë deklaratën skandaloze të ministreshës serbe”, ka përfunduar Mexhiti.
Postimi i tij i plotë:
“Po të isha Sllobodan Millosheviqi, etnikisht do ta kisha pastruar Kosovën në vitin 1998!”, deklaroi publikisht në intervistë ministresha e Aleksandar Vuçiqit dhe kaloi pa u shkarkuar, pa dënim publik, pa kërkim falje, pa asnjë shprehje të pendesës apo keqardhjes nga ana e shefit të saj.
Kur një zyrtar qeveritar, në shekullin XXI, publikisht shpreh glorifikim për bëmat e kasapit të Ballkanit dhe për më keq, publikisht shpreh keqardhjen e saj që e paska lënë punën të pakryer, pra, nuk e paska pastruar Kosovën nga shqiptarët, dhe për një deklaratë të tillë skandaloze, shoviniste, raciste kalon pa ndëshkim, atëherë nuk na ngelet tjetër përpos të parashtrojmë pyetjen: çfarë në të vërtetë paska ndryshuar në mendësinë nacional-shoviniste serbe që vazhdon të thurrë ëndrrën për Serbinë e madhe?! Si mund të flasim për kapitullin e ri të Ballkanit të traumatizuar nga gjakderdhja, nga pastrimi etnik e gjenocidi nëse në vitin 2026 akoma kemi zyrtarë shtetërorë të cilët vuajnë për “punët e papërfunduara të fund shekullit XX”?! Kush mund të ketë iluzione se po jetojmë në erën e pajtimit dhe se ndajmë vlerat e popujve evropianë nëse një deklaratë fatkeqe me premisa të qarta raciste e ksenofobike që then çdo normë etike, morale dhe juridike pranohet në heshtje dhe nuk ka asnjë penalizim si pasojë?
Këto janë fytyrat e vërteta të Open Balkan-it, iniciativës të cilën tentuan të na e shesin si perspektivën më të mirë për aspiratat euro-integruese të vendeve të rajonit por e cila, tashmë nuk ka asnjë dilemë, qartazi paska qenë vetëm kornizë për rehabilitimin historik, politik e ideologjik të Serbisë për krimet makabre të kryera gjatë luftërave të përgjakshme në ish- Jugosllavi.
I rikujtoj ministreshës Sllobo-nostalgjike se ajo që ka ndodhë në Kosovë në vitet 1998-1999 ka qenë ndër fushatat më të egra të pastrimit etnik në territorin e Evropës së pas Luftës së Dytë Botërore. Si pasojë e fushatës etnocentrike të ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë të cilët ishin nën urdhërat direkte të Sllobodan Millosheviqit, në Kosovë u vranë mbi 10.000 civilë shqiptarë nga të cilët rreth 1.500 ishin fëmijë. Nga 6.000 persona të zhdukur akoma sot figurojnë të pagjetur rreth 2.000 burra e djem shqiptarë të Kosovës, ndërsa numri i grave dhe vajzave të dhunuara dhe të keqtrajtuara seksualisht shkon deri në 10.000!
Por, sot Kosova është shtet i pavarur, demokratik, dhe i pranuar ndërkombëtarisht. Subjektivitetin e Kosovës e demonstrojnë institucionet e saj të ndërtuara dhe të zgjedhura në procedura demokratike, ndërsa e garanton Ushtria e Kosovës. Kjo është Kosova që na bën të gjithëve krenarë dhe për të cilën breza të tërë sakrifikuan e derdhën gjak.
Kumbarat e Open Balkanit dhe avokatët e Aleksandar Vuçiqit le të vazhdojnë të heshtin. Në heshtje e aprovojnë deklaratën skandaloze të ministreshës serbe.



