
Gazetari Naser Pajaziti ka pretenduar se zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) lidhen me përpjekjet për të penguar një marrëveshje të mundshme mes kësaj partie dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Në një postim në rrjetet sociale, Pajaziti shkruan se, sipas burimeve të tij, pas takimit ndërmjet kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, është arritur një dakordësi parimore për bashkëpunim në funksion të formimit të institucioneve të reja.

Sipas tij, menjëherë pas kësaj kanë nisur përpjekje për ta destabilizuar LDK-në nga brenda.
“Menjëherë pas arritjes së kësaj dakordësie parimore, prapa skenës kanë nisur të jetësohen skenarë të orkestruar për të tronditur LDK-në nga brenda. Qëllimi është i qartë: përçarja e strukturave të LDK-së dhe nxitja e krijimit të fraksioneve rivale”, ka shkruar Pajaziti.
Ai pretendon se qëllimi i këtyre zhvillimeve është që të mos sigurohen votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit dhe konfirmimin e qeverisë së re.
Pajaziti shkon edhe më tej, duke ngritur dyshime se bllokada politike mund t’u shërbejë interesave të Serbisë.
“A është pushteti aktual në Beograd sponsori kryesor i pengmbajtjes së Kosovës dhe rrënimit të saj shtetëror, për ta lënë vendin në një agoni të pafundme politike?”, ka pyetur ai.
Në fund, Pajaziti vlerëson se ditët në vijim do të jenë vendimtare për LDK-në, pasi, sipas tij, do të testohet lidershipi i Lumir Abdixhikut përballë përpjekjeve për ta rrëzuar dhe për të penguar formimin e institucioneve.



