
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda përmes një konferenceje për media me deputetin tjetër të PDK-së Arian Tahiri, ka njoftuar se përveç për konstituimin e Kuvendit, ky subjekt politik do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese edhe për zgjedhjen e sotme të Qeverisë.
Lëvizja Vetëvendosje sot e ka votuar në Kuvendin e Kosovës, Qeverinë Kurti 4.

Tahiri ka thënë se Kurti ka luajtur gjatë gjithë kësaj kohe me institucionet, e ka shpërfillur Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Procedimet e sotme dhe konstatimet e tyre se Kuvendi është konstituuar janë përtej afatave kushtetuese dhe gjithçka që del nga ky Kuvend, ne do ta dërgojmë për shqyrtim të ligjshmërisë në Gjykatën Kushtetuese. Kosova duhet të funksionojë sipas rendit kushtetues dhe jo sipas një rendi që tenton ta krijojë Kurti për interesat e tij politike. Ekspertët e PDK-së tashmë janë duke punuar në përgatitjen e rastit, i cili do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për procesin në tërësi”, ka thënë Tahiri.
Deputeti Gruda ka folur edhe për zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se ky Kuvend ka problem me legjitimitet dhe se kjo Qeveri është më jokompetentja.
Gjithë propaganda ndaj Listës Serbe lojë politike, në fund e pranuan nënkryetarin. Ishin prezentë kur u zgjodh qeveria. Çdo gjë pjesë e propagandës, nuk ka asgjë tjetër. I kemi parë duke u koordinuar fshehtas, pra ata operojnë jashtë syve të publikut bashkë. Në sy të publikut duket se ka një konflikt që është tërësisht artificial. Është përbërja më jokompetente që ka pasur Kosova e lirë prej vitit 1999. Qeveria më jokompetente që ka pasur Kosova. Kuvendi ka problem me kushtetutshmërinë e vetë legjitimitetin e vetë. Nuk mund të marrim pjesë në një Kuvend të tillë”, ka thënë Gruda.
Edhe Aleanca ka paralajmëruar se do ta dërgoj në Kushtetuese konstituimin e Kuvendit. Për këtë, Gruda u shpreh se në rast se ky subjekt politik ka nevojë për nënshkrimet e PDK-së që të bëhen dhjetë atëherë janë të gatshëm t’ua ofrojnë.
“Do të dërgojmë një kërkesë të ndarë, nëse do të kenë nevojë për ta dërguar një kërkesë të tillë unë besoj se ka deputetë që janë të gatshëm ta ndihmojnë Aleancën”, ka thënë Gruda.



