Kujtim Shala konteston kushtetutshmërinë e Qeverisë Kurti 4: E zgjodhi një Kuvend i pakonstituuar

Nënkryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala, ka deklaruar se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar plotësisht, pasi nuk është zgjedhur ende nënkryetari nga radhët e PDK-së.

Në një deklaratë për Telegrafin, deputeti i LDK-së ka kontestuar rrjedhimisht edhe kushtetutshmërinë e Qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti.

banner

“Qeverinë e zgjodhi një Kuvend i pakonstituuar, prandaj ajo nuk është një qeveri kushtetuese”, ka deklaruar Shala.

Sipas tij, Kushtetuta kërkon zgjedhjen e kryetarit dhe të të gjithë nënkryetarëve për përfundimin e procesit të konstituimit.

“Sipas Kushtetutës së Kosovës, Kuvendi konsiderohet i konstituuar pas zgjedhjes së kryetarit dhe të gjithë nënkryetarëve”, ka thënë ai.

Shala u zgjodh sot nënkryetar i Kuvendit nga radhët e LDK-së me 75 vota për, një kundër dhe katër abstenime. Në të njëjtën seancë u zgjodhën edhe Tanja Vujoviq nga Lista Serbe dhe Emilia Rexhepi nga komunitetet e tjera joshumicë.

Posti i nënkryetarit që i takon PDK-së mbeti i paplotësuar, pasi kjo parti kishte pezulluar përkohësisht kandidaturën e Vlora Çitakut.

Pavarësisht kësaj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e shpalli të përfunduar konstituimin, ndërsa më pas u zhvilluan procedurat që çuan në votimin e Qeverisë Kurti 4.

PDK-ja ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe vendimet e marra më pas. Edhe partitë e tjera opozitare kanë kontestuar kushtetutshmërinë e procesit.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.