
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se arritja e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje aktualisht duket pothuajse e pamundur.
Sipas Gashit, një prej problemeve kryesore është mënyra se si do të ndahej pushteti ndërmjet dy subjekteve politike.

Ai ka argumentuar se, me 53 deputetë të LVV-së dhe partnerëve të saj dhe 18 deputetë të LDK-së, raporti është afërsisht tre me një dhe, sipas tij, ky raport duhet të reflektohet edhe në ndarjen e pozitave kryesore institucionale.
Në këtë logjikë, Gashi thotë se LVV-së do t’i takonin dy nga tri pozitat kryesore, ndërsa LDK-së njëra. Për LDK-në, sipas tij, kjo pozitë duhet të jetë ajo e Presidentit të Republikës.
Megjithatë, Gashi ka theksuar se problemi ndërmjet dy partive nuk kufizohet vetëm te posti i presidentit. Sipas tij, ekziston edhe mungesë besimi dhe ende nuk ka një program të përbashkët mbi të cilin do të ndërtohej një koalicion qeverisës.
“Por duhet ta themi edhe të vërtetën e pakëndshme: Sot duket qartë se një marrëveshje e tillë është pothuajse e pamundur”, ka shkruar Gashi.
Postimi i tij i plotë:
PO KËRKONI SHUMË? JO. PO KËRKOJMË QARTËSI, BESIM DHE PËRGJEGJËSI.
Po shoh shumë komentues që shkruajnë: “Po kërkoni shumë. Ndajeni pushtetin drejt.”
Dakord. Por para se ta ndajmë pushtetin, duhet të dimë a mund ta qeverisim bashkë Kosovën.
Pushteti nuk ndahet me matematikë karrigesh. Ai ndahet pasi ndërtohen besimi, siguria dhe marrëveshja për bashkëqeverisje.
LDK dhe LVV kanë një histori bashkëqeverisjeje që zgjati rreth 50 ditë. Brenda saj, një ministër dhe nënkryetar i LDK-së u shkarkua në kundërshtim me marrëveshjen politike dhe më pas u rrëzua Qeveria.
Pra, kjo histori nuk është histori besimi. Është histori mosbesimi.
Prandaj, para posteve duhet të flasim për shtetin.
Duhet të dimë: si e shohim politikën e jashtme, dialogun dhe Asociacionin; raportet me aleatët dhe rajonin; sigurinë; ekonominë, drejtësinë, shëndetësinë e arsimin? Dhe mbi të gjitha: a mund të ndërtojmë një program të përbashkët qeverisës?
Vetëm pastaj vjen ndarja e përgjegjësive.
Ajo duhet të jetë proporcionale, e drejtë dhe përfaqësuese.
Me 53 deputetë LVV dhe 18 LDK, raporti është përafërsisht 3 me 1. I njëjti parim duhet të vlejë edhe për institucionet.
Edhe për tri institucionet kryesore – Presidentin, Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit – duhet të vlejë ky parim: dy për forcën më të madhe dhe një për forcën e dytë.
Pra, LVV-së, si forcë më e madhe, i takon të zgjedhë cilat dy prej tyre i konsideron prioritare:
Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit, ose Presidentin dhe Kryetarin e Kuvendit.
Kjo është ndarje proporcionale.
Kjo është ndarje e drejtë.
Por problemi nuk është vetëm Presidenti.
Problemi është më i thellë: mungon mirëbesimi, nuk ka ende program të përbashkët dhe dallimet në politikën e jashtme, ekonomike, sociale dhe mënyrën e qeverisjes janë të mëdha.
Edhe çështja e Presidentit është e zgjidhshme. Nuk ka arsye që nga 80 e më shumë deputetë të mos gjendet një kandidat i denjë. Nëse një emër nuk është i pranueshëm, ka të tjerë.
Pra, emri nuk është problemi kryesor.
Presidenti nuk është dekor. Është një nga figurat kryesore të shtetit dhe duhet të ketë autoritet, përvojë, vizion, integritet dhe aftësi për ta përfaqësuar Kosovën.
Prandaj, le të mos e reduktojmë gjithë këtë në një debat për karrige.
Kosova nuk ka nevojë për një marrëveshje për pushtetin. Ka nevojë për një marrëveshje për qeverisjen.
LDK nuk kërkon më shumë se sa i takon, por nuk do të pranojë as më pak. Jo për interesa partiake, por për respekt ndaj votës, stabilitetin e shtetit dhe një qeverisje që duhet të zgjasë më shumë se 50 ditë.
Kosova ka nevojë për marrëveshje të fortë, jo kompromis të dobët. Për besim, jo dyshim. Për përgjegjësi, jo arsyetime. Dhe mbi të gjitha – për shtet, jo për karrige.
Por duhet ta themi edhe të vërtetën e pakëndshme:
Sot duket qartë se një marrëveshje e tillë është pothuajse e pamundur.
Jo sepse mungojnë karriget.
Jo sepse mungojnë emrat.
Por sepse mungon themeli i bashkëqeverisjes.
Kur mungojnë besimi, programi i përbashkët, pajtimi për orientimin shtetëror dhe siguria se marrëveshja do të respektohet, çdo ndarje pushteti rrezikon të jetë vetëm një marrëveshje e përkohshme për poste.
Kosova nuk mund të udhëhiqet me një marrëveshje që që në ditën e parë e ka të shkruar krizën në fund.
Më mirë një e vërtetë e vështirë sot, sesa një dështim i madh nesër.
Sepse shteti nuk është vendi ku provohen koalicionet. Shteti është përgjegjësia për të cilën ndërtohen koalicionet.
Dhe nëse nuk mund të ndërtojmë marrëveshje për Kosovën, duhet të kemi guximin ta pranojmë se nuk mund të ndërtojmë as Qeverinë.



