
Gazetarja e njohur e CNN, Christiane Amanpour, ka reaguar për vdekjen e kriminelit serb, Ratko Mlladiq. Përmes një postimi në platformën sociale X, Amanpour e ka cilësuar Mlladiqin si “një nga vrasësit më brutalë të botës”.
“Një nga vrasësit më brutalë të botës më në fund ka vdekur” – ka shkruar Amanpour. Ajo ka përmendur edhe moshën 84-vjeçare të Mlladiqit, duke thënë se ai “jetoi shumë më shumë se sa i lejoi të jetojnë dhjetëra-mijëra viktimat e tij”.

“Më shumë se 7000 burra dhe djem myslimanë që ai kishte masakruar në Srebrenicë do të jenë turpi i tij i përhershëm”- ka shkruar gazetarja. Amanpour ka theksuar se Mlladiqi ishte gjykuar nga një tribunal ndërkombëtar dhe ishte shpallur fajtor për krimet e kryera gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.
“Të paktën ai u gjykua nga një Tribunal Ndërkombëtar Penal dhe u shpall fajtor për krimet e tij të mëdha të gjenocidit”- ka shkruar ajo.
Në reagimin e saj, Amanpour ka kujtuar edhe punën e gazetarëve gjatë viteve ’90 për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës.
“Jam krenare për punën që ne gazetarët bëmë në vitet ’90 për të dokumentuar krimet e tij kundër njerëzimit, për ta mbajtur më në fund përgjegjës” – ka shkruar Amanpour.



