
Flamuri i Ukrainës është larguar nga objekti i Hotelit Grand në qendër të Prishtinës, pas deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se qëndrimi i Kievit për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar.
Zelensky qëndroi dje në Serbi, ku zhvilloi takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Pas takimit, presidenti ukrainas deklaroi se Ukraina vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa falënderoi Serbinë për qëndrimin e saj ndaj integritetit territorial të Ukrainës.
“Qëndrimi për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, duke përfshirë, pa dyshim, Krimenë. Ky qëndrim i Serbisë nuk po ndryshon, madje as në OKB”, deklaroi Zelensky.
Pas kësaj deklarate, një grup qytetarësh në Prishtinë ka reaguar duke larguar flamurin ukrainas që ishte vendosur në objektin e Hotelit Grand.
Veprimi vjen në kohën kur deklarata e Zelenskyt për Kosovën ka nxitur reagime në opinionin publik.
Në lidhje me këtë temë ka reaguar edhe Përparim Rama, kryetar i Prishtinës.



