Kurti përsërit kërkesën që Kampi Bondsteel të bëhet bazë e përhershme në Kosovë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur kërkesën që Kampi Bondsteel të shndërrohet në një prezencë të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë, gjatë një takimi me senatoren amerikane Joni Ernst në objektin e Qeverisë sot, shkruan KOHA.

Ernst konsiderohet një nga avokueset më të zëshme të Kosovës në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

banner

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti e ka falënderuar senatoren Ernst për mbështetjen dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në thellimin e partneritetit mes Kosovës dhe SHBA-së.

“Qeveria e Kosovës e ritheksoi qëndrimin që Kampi Bondsteel duhet të shndërrohet në prezencë të përhershme ushtarake në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas Kurtit, një prezencë e tillë do të shërbente si garantuese e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe do të përbënte një bazë strategjike për operacionet e NATO-s në Evropën Juglindore.

Gjatë takimit, Kurti e ka informuar senatoren amerikane edhe për, siç thuhet, progresin e dukshëm të Kosovës në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e situatës së brendshme të sigurisë.

Kurti dhe Ernst kanë diskutuar gjithashtu për situatën politike në Kosovë dhe rëndësinë e vazhdimit të diskutimeve mes partive politike parlamentare për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve.

Ernst u dekorua me Medaljen Presidenciale të Meritave nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

Bondsteeli është një bazë ushtarake amerikane në Kosovë, e ndërtuar në vitin 1999, pas përfundimit të luftës. Baza ndodhet pranë Ferizajt, në zonën e Sojevës, dhe është ndërtuar nga ushtria amerikane në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Baza është emërtuar në nder të James L. Bondsteel, një ushtar amerikan i dekoruar për shërbimin e tij gjatë Luftës së Vietnamit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.