
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar të martën takimin konsultativ për tejkalimin e ngërçit politik dhe funksionalizimin e institucioneve, pavarësisht refuzimit të ftesës nga tri partitë kryesore opozitare shqiptare.
Në takim kanë marrë pjesë kryeministri në detyrë dhe deputeti Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe përfaqësues të komuniteteve joshumicë.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kishin refuzuar ftesën e Haxhiut për të marrë pjesë në konsultimet lidhur me zhvillimet politike dhe arritjen e një marrëveshjeje për presidentin.
Pavarësisht mungesës së tri partive opozitare, takimi është mbajtur mes Haxhiut, liderit të partisë së saj, Albin Kurti, dhe përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë.
Takimi është zhvilluar në kuadër të konsultimeve të paralajmëruara nga Haxhiu për tejkalimin e ngërçit aktual politik, zgjedhjen e presidentit dhe funksionalizimin e institucioneve të vendit.



