
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar pas kritikave të shumta lidhur me dërgimin e vagonëve për riparim në Zrenjanin të Serbisë.
Rizvanolli ka thënë se kjo praktikë nuk ka nisur gjatë qeverisjes aktuale, por që në vitin 2017, menjëherë pas blerjes së vagonëve.

“Vagonët janë dërguar për riparim në Zrenjanin në Serbi për herë të parë më 2017, sapo janë blerë, në procedurë të nisur në kohë të Qeverisë Mustafa e të përuruar në kohë të Qeverisë Haradinaj, nga Ministri Pal Lekaj”, ka shkruar Rizvanolli.
Ajo ka drejtuar kritika ndaj AAK-së, duke pyetur nëse kjo parti kishte shprehur të njëjtin shqetësim në kohën kur ministri i saj, Pal Lekaj, kishte marrë pjesë në përurimin e vagonëve të riparuar në Serbi.
“A ka qenë AAK-ja e bregosur për këtë çështje në vitin 2017 kur Ministri i tyre e prente shiritin për vagonët e riparuar në Serbi?”, ka shkruar Rizvanolli.



