
Arlinda Zekaj kishte paralajmëruar familjen për kërcënimet ndaj saj rreth një vit para se të vritej, ka bërë të ditur avokati i familjes, Besnik Berisha.
Në emisionin “Debat Plus”, Berisha tha se më 12 nëntor 2025, Arlinda i kishte dërguar një mesazh vëllait të saj, duke e njoftuar për fjalët kërcënuese që, sipas saj, ia kishte thënë bashkëshorti, Jeton Sylaj.
“Jetoni më paralajmëroi se krejt Kosova ka me marrë vesh se çka ka me ndodhë me ty. Shijoj edhe këto ditë që të kanë mbetur”, citoi Berisha mesazhin e Arlindës.
Ai tha se mesazhi tashmë është siguruar dhe është dorëzuar në institucionin përkatës. Sipas avokatit, vrasja e Arlindës nuk mund të shihet vetëm si një akt i kryer natën kur ajo u vra, pasi kërcënimet dhe rreziku ishin paralajmëruar shumë më herët.
“Arlinda shkoi fizikisht nga kjo jetë në mënyrën më tinëzare të mundshme, ku një i lig ia mori jetën. Por duhet ta nënvizojmë se jeta e saj nuk është marrë vetëm atë natë. Akti ka ndodhur atë natë, por për planifikimin dhe paralajmërimet kemi prova të prekshme shumë më të hershme”, deklaroi Berisha.
Ai kritikoi edhe mënyrën se si institucionet i kishin trajtuar kërkesat e Arlindës për ndihmë dhe mbrojtje, duke thënë se është e papranueshme që thirrjet e një qytetareje të shpërfillen në atë masë.
Berisha theksoi se familja nuk kërkon hakmarrje, por drejtësi dhe përgjegjësi për vrasjen e Arlindës, si dhe mbrojtje për gratë e tjera që përballen me dhunë.
“Ne jemi të interesuar për drejtësi, jo drejtësi hakmarrëse, për një person që ka humbur jetën në mënyrën më makabre të mundshme, por edhe për ato gra që janë në pritje të drejtësisë dhe për ato viktima që nuk dinë të shkruajnë e nuk njohin askënd në Polici e Prokurori”, deklaroi ai.



