
Analisti Gazmir Raci ka kritikuar ashpër politikën e Serbisë ndaj Kosovës dhe rajonit, duke thënë se Beogradi vazhdon me, siç i ka quajtur ai, tendencat hegjemoniste në Ballkan.
Raci ka përmendur si shembull kërcënimet për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër, duke i cilësuar ato si pjesë të një politike presioni ndaj Kosovës dhe destabilizimi të rajonit.

“Serbia vazhdon me tendencat e saj hegjemoniste në Ballkan. Kërcënimi për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër është vetëm shembulli i fundit i një politike presioni ndaj Kosovës dhe destabilizimi të rajonit”, ka shkruar Raci.
Ai ka paralajmëruar se retorika nacionaliste në Serbi mund të forcohet edhe më shumë në prag të zgjedhjeve të parakohshme.
“Serbia po përgatitet edhe për zgjedhje të parakohshme dhe, siç kemi parë vazhdimisht, në periudha zgjedhore në Beograd i fryhet edhe më shumë nacionalizmit dhe politikave ndaj fqinjëve”, ka thënë ai.
Raci ka përmendur edhe diskutimet për mundësinë që Ratko Mladić të varroset me nderime shtetërore, duke thënë se kjo tregon se Serbia ende nuk është përballur siç duhet me të kaluarën e saj.
“Fakti që në Serbi diskutohet edhe mundësia e nderimeve shtetërore për Ratko Mladiqin, të dënuar për gjenocid dhe krime lufte, tregon sa problematike mbetet përballja e saj me të kaluarën e viteve ’90”, ka shkruar ai.
Sipas Racit, Bashkimi Evropian duhet ta bëjë të qartë se politika të tilla nuk janë të pajtueshme me perspektivën evropiane.
“BE-ja duhet ta ketë të qartë: nuk ka perspektivë evropiane me politika hegjemoniste, glorifikim të kriminelëve të luftës dhe kërcënime ndaj fqinjëve. Ballkani ka nevojë për paqe dhe bashkëpunim, jo për rikthim në vitet ’90”, ka përfunduar Raci.



