
Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje që Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka refuzuar kërkesat e gjyqtarëve serbë për dorëheqjet e dhëna në vitin 2022, shkruan KOHA.
Në një deklaratë të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm është thënë se “me Kushtetutë, Kosova është shoqëri multietnike e qeverisur nga sundimi i ligjit dhe sistemi i saj i drejtësisë duhet të reflektojë diversitetin etnik të Kosovës”.

“BE-ja i ka bërë vazhdimisht thirrje Kosovës që të mundësojë riintegrimin e personelit gjyqësor serb të Kosovës në përputhje me legjislacionin e Kosovës dhe marrëveshjet në dialog. BE-ja e pati mirëpritur tërheqjen e dorëheqjeve, më 15 korrik 2026, të paraqitura nga gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës serb i Kosovës”, thuhet në deklaratë. “BE-ja shpreh keqardhje të thellë për vendimin e djeshëm të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për të pranuar dorëheqjet e gjyqtarëve serbë të Kosovës, që tashmë ishin tërhequr”.
Në deklaratë është theksuar se edhe vendimi për mospranim të tërheqjeve të dorëheqjeve në sistemin prokurorial dhe miratimit nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, “vendimet nuk janë në pajtueshmëri me ligjin e Kosovës, procesin e rregullt ligjor dhe kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë”.



