
Më 18 qershor 1999, vetëm tetë ditë pas marrëveshjes së paqes, ish-presidenti amerikan dhe ish-kryeministri britanik folën për sukseset e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
Janë publikuar pamje të rralla nga 18 qershori i vitit 1999, ku ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair shihen duke biseduar për arritjet në Kosovë, vetëm tetë ditë pas marrëveshjes që i dha fund luftës.
Në pamje, Clinton thekson tri objektivat që NATO kishte luftuar për 78 ditë: tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, vendosjen e trupave ndërkombëtare dhe kthimin e refugjatëve shqiptarë në vendin e tyre.
“35 mijë trupa serbe tashmë janë larguar nga Kosova, 90 mijë trupa të KFOR-it janë aty. Tri gjëra për të cilat luftuam për 78 ditë: forcat serbe jashtë, forcat ndërkombëtare brenda dhe kthimi i refugjatëve. Janë gjëra të arritura. Jam pafund krenar për këto”, dëgjohet të thotë Clinton, teksa Blair shpreh pajtimin e tij.
Pamjet sjellin një moment historik të reflektimit të dy liderëve për misionin e NATO-s në Kosovë, që mbetet një nga ndërhyrjet më të rëndësishme ndërkombëtare të kohës.



